Këtë pasdite në Report Tv në emisionin 'Studio Live' të gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, u diskutua për dy Kuvendet e PD, njëri i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 11 dhjetor dhe tjetri i thirur nga kryedemokrati Lulzim Basha më 18 dhjetor. Të ftuarit në studio, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Eno Bozdo dhe analistja njëkohësisht edhe juriste, Brisida Gjikondi, ndanë mendime të ndryshme. Bozdo e quajti një aksion politik thirrjen e dy Kuvendeve dhe 'Foltoren' e Berishës, ndërsa analistja Gjikondi tha se është një luftë personale mes Bashës dhe ish-kryeministrit.
Eno Bozdo deklaroi se do të shkojë fillimisht në Kuvendin e Berishës ndërsa në varësi të zhvillimeve mund të shkojë edhe tek ai i Bashës. Pyetjes nëse mund të shkarkohet Basha, Bozdo tha se juridikisht një Kuvend mund të bëjë gjithçka, politikisht më shumë se gjithçka.
"Nëse një Kuvend plotëson kuorumin dhe është i thirrur nga anëtarët, me të gjitha të dhënat duket se jo vetëm plotëson kuorumin për tu thirur por dhe për të marrë vendime. Mund të vendosë dhe mosekzistencën më të PD, shpërndarjen e PD. Kuvendi në mënyrë statutore dhe politike është organi suprem, që vendos të ndryshojë emrin, kryetarin. Mekanizmat që do zgjedhë Kuvendi mbeten për tu parë më datë 11. Kuvendi vjen si një lëvizje politike e iniciuar nga Berisha e mbështetur nga një masë kritike demokratësh, që në thelb pavarësisht iniciativës së Berishës, kërkon të ndryshojë status quo-ja. Ky qëndrim është i një grupi të rëndësishëm figurash në PD, menjëherë pas zgjedhjeve në 25 prillit. Unë dhe jo vetëm unë, dhe një grup i rëndësishëm figurash në PD kërkuan një analizë të thellë të humbjes, të veçoheshin shkaqet, duke pranuar që ka pasur tjetërsim të votave. Nuk shkojnë vetëm për hir të Berishës, por për ndryshime. Shkoj, mblidhen demorkatët, gjërat në PD duhet të ndryshojnë thelbësisht nëse duam të kemi një parti të aftë."-tha Bozdo.
Ndërsa u pyet për arsyet se përse duhet të largohet Basha, Bozdo tha se ka dy arsye.
"Procedura në politikë nuk është thelbësore. Aksioni i Berishës është politik. Firmosja e atyre që janë palca e PD është tërësisht politike. Jo vetëm me 'Foltoret' e organizuara, por që kur problemi filloi të konfigurohej do ishte noramle që kryetari të dorëhiqej meqë çështja e non gratës ka mbërritur deri këtu faremirë le të vazhdojë PD, përgjegjësinë e marr unë, atë që tha, praktikisht. Ka disa herë që merr përgjegjësi por nuk merr asnjë hap drejt përgjegjësive që ka. Meqë sfidohet lidershipi i PD, le të hyjmë në një garë lidershipi. problemi i demokratëve, është sfiduar lidershipi i Lulzim Bashës. Ata që mbrohen pas statutit dhe pas gërmës, tregon dobësi dhe mungesë koherence. Argumenti i dytë, kur fitoi një madat 4-vjeçar pse duhet të sfidohet, duhet pyetur Basha, mos më pyesni mua. Mandate të plota dhe të sigurta nuk ka. Ekuilibrat kanë lëvizur thellë. PD me gjithë të drejtën e zotit me demokratët kërkon të dijnë se kush do t'i udhëheqë. PD të zgjidhë çështjet e lidershipit dhe pastaj që t'i hyjë betejës përse ekziston. Për të mundur Ramën, ky është thelbi i PD."-tha Bozdo.
Analistja Brisida Gjikondi, teksa u pyet nëse Kuvendi i 11 dhjetorit mund ta shkarkojë Bashën nga lidershipi, u pajtua me mendimin e Bozdos i cili tha se politika nuk njeh procedura ligjore.
"Kemi raste kur politika me armë merr dhe pushtetin. Në mënyrë të cilësuar sipas anëtarësisë, shumica bën ligjin për tu mbledhur ose jo si Kuvend. Shkarkimi i Bashës me sa di unë nuk është në rendin e ditës por ndoshta është kjo pjesa etj etj në fund. Edhe për shkarkimin e kryetarit është përcaktuar procedura në statutin e PD, që duhet më shumë se gjysma e Këshillit Kombëtar për shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike. Për të ardhur keq që dy Kuvendet nuk u bashkuan në një. Jemi përpara një përçarje të madhe dhe nuk ka kthim pas. E gjithë kjo situatë u bë që kur Basha përjashtoi Berishën, nuk u bë për arsye parimore apo demokratike. Një hakmarrje që Berisha po bën ndaj Bashës, që unë të vura, unë të heq. Dhe si loja e bilardos me çok që godet Bashën për t'i dhënë mesazh ndërkombëtarëve sidomos amerikanëve. Në familjen e Berishës ka avokatë e juristë, dhe në PD ka jursitë, dhe e di mirë që kjo që po bën Berisha, këto Foltore, kjo ngritje adrenaline është një iterferëncë e qartë në gjykimin që po i bëhet në Gjykatën e Parisit. E ka çuar çështjen dhe s’duhet të influencojë në këtë vendim gjykate."-tha Gjikondi.
Gjikondi u shpreh se mund të shkojë procedura në vendime gjykate ndërsa shtoi se është një luftë morale më shumë se luftë letrash.
“Nëse arrin të përçahet një familje se kush ka më shumë e kush më pak, ajo është fundi i asaj familje. Prisja që dy Kuvendet të bashkoheshin. Lufta është personale shikoj unë mes Bashës e Berishës, jo luftë politike apo për demokratizim. Mund t’i shërbejë demokratizimit por më shumë për ndëshkimin e Bashës.”-tha analistja Gjikondi.
Analistja Gjikondi foli edhe për deklaratën e këshilltarit Metës për çështjet ligjore, Bledar Dervishaj i cili tha në një konferencë për mediat se Presidenca e cilëson si zhgënjyes dhe për interesa kundër popullit shqiptar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
"Prononcimi i këshilltarit ligjor është jashtë kompetencave që ka një President Republike. Ai del kundër vendimit këshillues të Venecias dhe kundër vendimit të Kushtetueses duke e quajtur që të dyja këto kanë qenë në mashtrim të të gjithë procedurës që është bërë. Duket se Meta do të konsumojë shkallën e fundit të gjykimit ndërkombëtar, që është Gjykata e Strasburgut çka do të ishte një skandal dhe një precedent jo normal për një shtet si Shqipëria që ka sovranitetin e saj, sistemin gjyqësor. Ka qenë Meta që ka legjitimuar një pjesë të Kushtetueses. Ai s'duhet të ketë kah politik. Jo normale që një këshilltar ligjor gjykon Kushtetuesen. Mund ta çojë në Strasburg."-tha Gjikondi.
Situata në PD është mjaft e ndarë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor i thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Pak javë më parë, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja.