TIRANË- Kur kanë kaluar rreth 2 muaj (11 janar) nga nisja e procesit të vaksinimit në vendin tonë, mbi 10 mijë persona kanë marrë vaksinën anti-COVID. Më konkretisht referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 1014 persona, e ndërsa në total në Shqipëri janë kryer 16,807 vaksinime. Këtu përfshihet doza e parë e marrë nga pjesa më e madhe e qytetarëve, si edhe një pjesë e tyre kanë marrë edhe dozën e dytë, mes tyre kryeministri Edi Rama, drejtoresha e Infektivit Najada Çomo, mjeku Tritan Kalo.
Procesi i vaksinimit ka nisur në vendin tonë me bluzat e bardha, të cilët ndodhen në vijën e parë të zjarrit në betejën me COVID, për të vijuar me të moshuarit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije nga mesi i muajit mars do të mbyllet procesi i vaksinimit për mjekët, për të vijuar me një proces intesiv të të vaksinuarit në popullatë. Kreu i qeverisë, Edi Rama është shprehur se në 15 mars priten të merren 8 mijë doza të tjera nga kompania Pfizer dhe fushata e vaksinimit do të shtrihet edhe në popullsi, me qëllim që të lehtësohet turizmi në vend, nisur edhe nga fakti që ky është një nga sektorët më të goditur si pasojë e pandemisë.
Rama ka deklaruar se vaksinimi në Shqipëri do të mbyllet brenda 14 muajsh, por ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nga Korça tha se mund të mbyllet edhe para afatit të parashikuar, pasi do të ketë një angazhim shumë të lartë edhe të Forcave të Armatosura që do të vënë në dispozicion mjekët, vendet që do kthehen në qendra vaksinimi, të gjithë logjistikën e mundshme.