Dy net në Pallatin e Kongreseve, Olen Çezari: Njerëzit në Shqipëri duhet t’i japin më shumë dashuri njëri-tjetrit

22 Prill 2019, 15:20| Përditesimi: 22 Prill 2019, 15:40

  • Share

Violinisti i njohur Olen Çezari rikthehet me koncert për dy net radhazi në Pallatin e Kongreseve. I shoqëruar nga 22 artistë të njohur në mbarë botën dhe nga grupi i tij, “International Clandestine Orchestra” (Klandestinët Ndërkombëtarë) artisti me origjinë shqiptare rrëfen arsyet e këtij koncerti tek rrënjët. Ndonëse dëshira e tij, është që të luajë më shpesh në skenën shqiptare, por ai na tregon se për shkak të udhëtimeve në mbarë botën luan vetëm një herë në cy vite.

 “E ndiej të domosdoshme që të vij në Shqipëri, e kam brenda vetes, është pjesë e dëshirës sime, që atë që prezantojmë nëpër botë ta kemi edhe këtu”, shprehet violinisti.

Gjatë karrierës së tij në mbarë botën Oleni nuk ka qenë asnjëherë vetëm, sikundër edhe në këtë koncert ka ftuar disa nga miqtë e tij, për ta shoqëruar.

 “Bashkë me grupin tim International Clandestine Orchestra kemi dhjetë vite që udhëtojmë nëpër botë, do të vendosim në skenë nesër edhe pasnesër tinguj nga e gjithë bota. Për këtë kam thirrur miqtë  e mi, që këta tinguj të jenë të prekshme dhe reale, si kantautorin e njohur italian Alessandro Mannarino, instrumentisti i njohur nga Kina, Guo Gan, bateristi Pepe Sanchez, Eden, i cili për dy muaj bllokoi Sanremo-n e të rinjve, artisti nga Kuba Shama Milan, këngëtarja Lavinia Mancusi , që e kam pjesë të grupit tim, edhe humoristin Bes Kallakun”, vijon më tej, gjeniu i violinës.

Dëshira e artistit është që repertori të mbetet surprizë për publikun, por ajo që na rrëfen është se nuk do të mungojnë këngët shqiptare, të cilat kësaj here vijnë të interpretuara nga artistja e vetme italiane që di të këndojë shqip, Lavinia Mancusi.

 “Kësaj here sa i përket Shqipërisë, kemi të vetmen këngëtare italiane që këndon shqip në të gjithë botën, Lavinia. Por do ta dëgjoni në koncert. Sa i përket pjesëve shqiptare, nuk doja që të ftoja artistë shqiptarë ( se këtë e kam bërë në koncertin tim të parë), por në të njëjtën kohë doja të ftoja dikë, që nuk kishte lidhje me muzikën, rastësisht takova Besin dhe dukë dëgjuar humorin e tij, vendosa që ta kem pjesë edhe të koncertit”, shton më tej.

Sa i përket zhvillimeve politike që ndodhin në Shqipëri, ai shprehet se është artist edhe i përket popullit, ndërsa vendin e tij dhe Italinë në mbarë botën e përfaqëson si artist.  

“Nuk jam politikan edhe s’jam marrë ndonjëherë me të. Nuk i përkas asnjë ngjyrimi politik, por i përkas popullit, sikundër kam vite që prezantoj edhe popullin italianë nëpër botë. Ndihem si një urë e këtyre dy shteteve që kanë një vëllazëri shekullore me njëri-tjetrin. Por unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për dashuri, ka nevojë që njerëzit të zbuten edhe t’i shprehin të gjithë dashurinë njëri-tjetrit, se janë të gjithë të tendosur si tel violine”, shprehet artisti.

Ajo që i dhëmbë më shumë se gjithçka Olenit sa i përket Shqipërisë është historia për të cilën shqiptarët, nuk kujdesen sa duhet, për ta promovuar tek turistët e huaj.

 “Do preferoja që Muzeu Kombëtar të ishte plot me objekte arkeologjike, që flasin për historinë, gjënë më të rëndësishme, që ne kemi, ndërsa, të tjerët nuk e kanë. Kemi amfiteatro, si ai në Durrës, që ne i kemi lënë pas dore. Këto janë gjërat që mua më mungojnë. Në Tiranë janë bërë gjëra të bukura. Por, një turist ka dëshirë që të shoh edhe historinë tonë”, përfundon Oleni.

Violinisti Olen Çezari do të interpretojë në skenën e Pallatit të Kongreseve në datë 23-24 prill, ora 19.00.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?