Altin Ndoci, njeriu i arrestuar dhe akuzuar nga prokuroria e Durrësit për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, do vijojë të qëndrojë në burg. Ndoci, kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë, në gjykatën e Apelit Durrës, por ditën e sotme kjo gjykata ka vendosur të lerë në fuqi masën e “arrestit në burg”.
Ndoci, ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen por prokuroria ka shprehur, qëndrim të palëkundur në kërkesën e saj për caktimin e masës së “arrestit në burg”, për Ndocin. Veç dy vrasjeve të dy vëllezërve, Ndoci akuzohet nga prokuroria për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Durrësit. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë dhe i riu Klevis Alla, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Durrësit, duke treguar mënyrën se si kanë kryer vrasjet, vendin e hedhjes së armëve, braktisjen e makinës së krimit dhe emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasje.
Alla nuk kishte bërë ankimim të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, duke preferuar që pas dy ngjarjeve të rënda, të qëndrojë i izoluar në qeli. Lidhur me këtë dy ngjarje policia dhe prokuroria e Durrësit vijojnë të hetojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë. Motivi kryesor që dyshohet për kryerjen e dy krimeve me 4 viktima ka qenë konflikti për drogën dhe modifikimi i makinave të vjedhura në servise.