Tirana East Gate dhe Qendra Tregtare Univers ose si njihen më mirë me akronimet TEG dhe QTU, janë qendrat tregtare me një numër rekord vizitorësh në vit, të cilët i tërheqin trendet botërorë të modës dje jo vetëm që gjejnë aty dhe një përvojë e plotësuar me argëtim apo mjedise çlodhëse.
Koleksionet e veshjeve të gjigantëve botërorë, të cilët rinovohen në të njëjtën kohë me vendet evropiane, si dhe hipermarketet SPAR me mijëra produkte, natyrshëm janë pjesë e linjave ndërkombëtare të furnizimit.
Një rrjet shumëkombësh transporti me rrugë tokësore, ujore dhe ajrore bën të mundur arritjen e produkteve nga e gjithë bota tek konsumatori ynë, ashtu si njëkohësisht krijon një sasi të konsiderueshme mbetjesh nga paketimi i tyre.
Pikërisht këtë pasoja të aktivitetit të përditshëm TEG dhe QTU e kanë zgjidhur më së miri, duke ricikluar përgjatë gjithë vitit sasinë totale të letrës së panevojshme.
Denisa Gjini, menaxhere e qendrës TEG, konfirmon se vetëm gjatë vitit të kaluar ato kanë ricikluar 315 ton letër. Dhe sasitë e letrës së ricikluar janë të konsiderueshme nga viti në vit. Ajo shton se riciklimi në mënyrë të përgjegjshme do të përfshijë në të ardhmen edhe mbetjet e llojeve të tjera që sjell veprimtaria e njësive tregtare.
Kjo praktikë e mirë gjen pasqyrim edhe në drejtimet e përgjegjshmërisë sociale të dy qendrave tregtare.
Organizime sportive në natyrë si Triatloni i Farkës dhe projekti i dhënies së biçikletave për ata që e zgjedhin si mjet lëvizjeje por nuk kanë mundësi ekonomike në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, plotësojnë profilin e TEG dhe QTU si mbështetës të nismave për mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e jetesës së shëndetshme, politika që ndiqen nga të gjitha kompanitë e Grupit BALFIN, pjesë e të cilit janë edhe dy qendrat në fjalë, nën kujdesin e veçantë që Presidenti i Grupit Samir Mane tregon për përgjegjësinë sociale.