Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se pavarësia dhe dhe fuqizimi i SPAK dhe GJKKO e trembin kryeministrin Edi Rama.
Në një video të postuar në Facebook me deklaratat e Ramës për reformën në drejtësi, Basha shkruan se Rama dhe Berisha po veprojnë së bashku për të minuar drejtësinë.
Ai akuzon Ramën për përpjekje për të dekonspiruar SPAK dhe GJKKO, ndërsa Berishën për përdorimin e fjalorit kriminal kundër këtyre institucioneve.
‘Gjuha e turpshme e përdorur për të denigruar mbështetjen e partnerëve strategjikë ndaj Reformës në Drejtësi, e paraprirë nga amnistimi i të korruptuarve për të penguar punën e SPAK, janë tregues të degradimit që po pëson qeverisja, për shkak të aferave të panumërta që mbajnë firmën e tij, ndaj dhe po përpiqet me çdo kusht të delegjitimojë SPAK-un.
Edi Rama po bën gjithçka së bashku me Sali Berishën për të goditur drejtësinë. Njëri mundohet t’ia pamundësojë punën, duke urdhëruar administratën të mos bashkëpunojë dhe deputetë e policë të emëruar prej tij ta dekonspirojnë, e tjetri duke e sulmuar me fjalor kriminal. Të dy së bashku me planin nën tavolinë për të bashkuar votat në rastin më të parë kundër saj’, shkruan ai.