Vendimi i fundit i Gjykatës së Posaçme për të ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-gjyqtares Pajtime Fetahu ngre dyshime mbi standardet e drejtësisë shqiptare. Në njoftimin zyrtar të GJKKO-së thuhet se më 19 shtator 2025, gjykata vendosi të zëvendësojë “arrestin në burg” me “arrest shtëpie”, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Fetahut nga paraburgimi.
Kujtojmë se SPAK e akuzon Pajtime Fetahun për lidhje me organizatat kriminale të Elbasanit, për zbulim të akteve sekrete dhe për marrje ryshfeti, ku përmenden shuma deri në 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe favore të tjera materiale. Gjithashtu, hetimet thonë se ajo ndikonte tek kolegët gjyqtarë për të marrë masa lehtësuese ndaj anëtarëve të grupeve kriminale. Akuza të rënda, të cilat në çdo vend normal do të ishin të mjaftueshme për mbajtjen në qeli të një gjyqtari nën hetim.
Por në Shqipëri ndodh ndryshe. GJKKO, që shpesh mban një qëndrim të ashpër për politikanë dhe të zgjedhur vendor, të cilët akuzohen për çështje shumë më të lehta në raport me ato të Fetahut, zbaton standarde të tjera kur bëhet fjalë për një gjyqtare të kapur me organizatat kriminale.
Të zgjedhurit me votë dhe politikanët që kanë mbajt pozicionet më të larta shtetërore, ndonëse me akuza të paqarta dhe shumë herë më të lehta, i mban si bilance të luftës kundër korrupsionit, ndërkohë që lidhjet e tilla me organizatat kriminale i jep masa lehtësuese, duke qenë se nuk ka asnjë ndjeshmëri publike për çfarë ndodh.
Një ndër problemet e drejtësisë sonë është pikërisht mungesa e koherencës dhe përdorimi i dyfishtë i masave të sigurisë, sipas rastit dhe emrit të përfshirë. Ndaj edhe publiku, që shpesh pyetet nëse drejtësia është më në fund e barabartë për të gjithë, sheh se përgjigjja është jo.
Drejtësia nuk matet me emra, por me fakte dhe akuza konkrete. Dhe kur një gjyqtare që dyshohet se shiti drejtësinë për disa mijëra euro lirohet, ndërsa politikanë që ende nuk u është provuar asgjë mbahen pas hekurave, atëherë fjala “drejtësi” bëhet thjesht një slogan bosh që iu shitet njerëzve si arritje e madhe./TemA
Komente

Kjo pra ēshtē padrejtēsia Shqiptare qē drejtēsin e ka qitur nē treg si mall shitje. Pty rac pise.
Përgjigju