Kosova & Rajoni

Dy standardet e Serbisë, dokumenti i zbuluar i inteligjencës amerikane pretendon se Beogradi ka furnizuar me armë Ukrainën

12 Prill 2023, 07:44| Përditesimi: 12 Prill 2023, 13:10

  • Share

Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë, ra dakord të furnizojë me armë Kievit ose i ka dërguar ato tashmë, sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, sipas medias prestigjioze Reuters.

Dokumenti i zbuluar i inteligjencës amerikane është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe "ndihma vdekjeprurëse" ose armë. Kjo e dhënë, ishte midis dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.

I titulluar "Evropa, përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë", dokumenti në formën e grafikut rendit "pozicionet e vlerësuara" të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.

Grafiku tregoi se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte ndihma vdekjeprurëse ose e kishte furnizuar atë tashmë. Ai tha gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t'i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti është shënuar me Sekret dhe NOFORN, duke ndaluar shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtritë. Ajo mban datën 2 mars dhe është e stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.

Zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment. Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Reuters në lidhje me referencën e dokumentit për Serbinë dhe më parë ka refuzuar të komentojë ndonjë nga dokumentet e zbuluara.

Qeveria e Vuçiqit ka deklaruar neutralitet në luftën e Ukrainës, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të vendit me Rusinë.

"Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për të dorëzuar armë në Ukrainë," tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore me Fondacionin Jamestoën, një institut i politikës së jashtme.

Departamenti i Drejtësisë po heton rrjedhjen, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin e shkaktuar në sigurinë kombëtare të SHBA.

G.MO/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?