Derbi Tirana-Partizani i përfunduar me shifrat 5-1 përveç spektaklit në fushën e lojës ka prodhuar edhe disa incidente. Për këtë arsye policia e Tiranës ka njoftuar se për shkak të kryerjes së disa veprave penale janë arrestuar gjatë ndeshjes 11 tifozë të cilët janë kapur në kushtet e flagrancës.
Dy nga 11 të arrestuarit vijojnë ende të mbahen në paraburgim për shkak se akuzohen për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Shkatërrimi i pronës”, konkretisht: A.M., 24 vjeç dhe M.U, 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ndërkohë nëntë personat e tjerë janë proçeduar. Në njoftimin e policsë thuhet se Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë.
Njoftimi i policisë:
11 të proceduar, ndër ta dy të arrestuar për shkatërrim të pronës, prishje të rendit e qetësisë dhe hedhje të sendeve të forta në fushë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipit të Tiranës dhe Partizanit, në stadiumin “Air Albania”.
Më datë 28.02.2020, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania” u zhvillua ndeshja e futbollit ndërmjet skuadrave të Tiranës dhe Partizanit. Gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit janë kryer veprime të dhunshme nga tifozët, janë hedhur sendet të forta në fushën e lojës, janë dëmtuar stolat, si dhe janë futur në fushën e lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes.
Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë, janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë dy tifozë, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Shkatërrimi i pronës”, konkretisht: A.M., 24 vjeç dhe M.U, 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrim prone” dhe 9 tifozë të tjerë, konkretisht shtetasit: M.H, A.P, G.M, L.T, A.M, A.O, K.R, R.J dhe K.M Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.