Korçë- Dy persona janë arrestuar nga policia vendore e Korçës, pasi akuzohen se i kanë vënë zjarrin një automjeti të parkuar ditën e djeshme (12 Gusht). Deri këtu duket si një ngjarje e zakonshme e kronikave të zeza shqiptare, por detaji që bie në sy është ‘arma e krimit’ e përdorur.
Agresorët kanë spërkatur me alkool automjetin tip “Benz”, para se t’i vinin flakën me çakmak dhe t’i shkaktonin dëme materiale. Burime zyrtare bënë me dije se akti kriminal ndodhi teksa të ndaluarit “ishin në gjendje të dehur”.
Policia sqaron se piromania ndodhi në lagjen nr. 8 dhe të prangosurit janë shtetasit me inicialet S. Ll., 43 vjeç dhe J. K., 38 vjeç, të dy banues në Korçë. Hetimet nisën pas denoncimit të pronarit 56-vjeçar të mjetit, që vuri re vatrën e zjarrit dhe dëmet, kurse motivi mbetet ende i panjohur, ashtu sikurse edhe lloji i alkoolit të përdorur.
Hetimet e kryera, verifikimi i kamerave dhe gjurmëve, çuan në zbulimin e dy të dyshuarve. Si pasojë e flakëve, makina është djegur pjesërisht.
Po sot, Policia e Pogradecit njoftoi se ndaloi shtetasin L. D., 50 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi hetimi në gjendje të lirë për shtetasin N. A., 62 vjeç, pasi për motive të dobëta, ka dëmtuar lehtë, me mjet prerës (biçak), një të moshuar 75-vjeçar, banues në këtë qytet.