Irani jugor është goditur nga dy tërmete të fuqishme njëri pas tjetrit. Mësohet se një person ka humbur jetën ndërsa të tjerë kanë dalë rrugëve të vendit nga paniku.
Kreu i Qendrës Sizmologjike Iraniane, Esmaeil Bayramnejad, tha se dy lëkundjet ishin me magnitudë 6.4 dhe 6.3 që goditën në një minutë një zonë pranë ishullit Qeshm, afër qytetit port të Bandar Abbas.
Sakaq, tërmetet u ndjenë në provincat fqinje, përfshirë Kermanin, si dhe në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe. Disa pasgoditje u raportuan në orët në vijim në Iran.
Mësohet se viktima u shënua pasi një shtyllë elektrike ra mbi të teksa po ecte në një rrugë në Bandar Abbas.
Presidenti Ebrahim Raisi urdhëroi një mbledhje të menjëhershme të kabinetit të tij për të diskutuar masat për të garantuar sigurinë e zonave të prekura. Ai gjithashtu urdhëroi zëvendëspresidentin e tij të parë, Mohammad Mohkber, të udhëtonte në Hormozgan për të vlerësuar personalisht situatën.
Në mënyrë të frikshme, tërmetet vijnë një ditë pasi një deputet i lartë në Bashkinë e Teheranit njoftoi se një varrezë e madhe me një sipërfaqe prej 13 hektarësh po përgatitet për që të mund të strehojë viktimat e një tërmeti potencialisht vdekjeprurës në kryeqytet.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej vitesh se Teherani një ditë mund të goditet nga një tërmet i madh, pasi ndodhet afër vijave të thyerjes.