Dy vatra zjarri aktive në vend/ Në Dropull, flakët rrezikojnë fshatin Terihat! Në Delvinë u riaktivizuan sot në mesditë, në ndihmë 2 avionë nga Greqia

11 Korrik, 15:39| Përditesimi: 11 Korrik, 19:16

  • Share

Dy vatra zjarri janë aktive në vendin tonë, në Dropull dhe Delvinë. Report Tv sjell pamjet nga zjarri në Dropull, ndërsa flakët rrezikojnë fshatin Terihat. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zbritur në terren i cili inspektoi nga afër sot ndërhyrjet e zjarrfikësve dhe emergjencave civile, ku po luftohet prej ditësh me flakët.

"Ky është për nga sipërfaqja, ndoshta zjarri më i madh që kemi pasur në shumë vite, i favorizuar për shkak të terrenit, por edhe erës, e cila ka bërë shpërndarjen e këtij zjarri në një gjatësi tepër të madhe duke përfshirë pothuajse 3 bashki, deri në momentin që flasim, por që era që fillon tani pasdite, dhe gjatë natës, do të vazhdojë të mbajë aktive disa prej vatrave të këtij zjarri", u shpreh Balla për mediat.

Ai nënvizoi faktin se për izolimin e flakëve janë përfshirë të gjitha strukturat, jo vetëm të shërbimit zjarrfikës të nivelit të bashkive, por edhe të bashkive të tjera që kanë ardhur në ndihmë, nga qarku i Vlorës, Fieri, e që janë bërë gati të nisen edhe nga Berati, edhe nga Tirana.

"Do të kemi forca zjarrfikëse, të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij mekanizmi të përbashkët ku përfshihet natyrisht edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe pa harruar për asnjë moment, forcën që vjen nga FA-të. Kemi pasur disa ndërhyrje me helikopter, po ashtu edhe me dy avionë “Canadair”, të vëna në dispozicion nga qeveria greke. Jemi në kontakt me qendrën e Mekanizmit Europian të Solidaritetit, përmes të cilit duam të vazhdojmë luftën edhe nga ajri sepse sikurse e keni parë është pothuajse e pamundur që të ndërhyet në një pjesë të madhe të vatrave ekzistuese të zjarrit, sikurse e shikoni p.sh atje ne, forcat e ushtrisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës e kanë të pamundur, helikopterët e ushtrisë të Forcave tona të Armatosura do të vijojnë të bëjnë fluturimet për fikjen e zjarrit dhe ndërkohë që siç ju thash do të kërkojmë edhe mbështetjen e këtij mekanizmi europian", informoi ministri.

Ndërkohë 2 avionë kanë mbërritur nga Greqia për fikjen e flakëve në Delvinë të cilat u riakvizuan mesditën e sotme në malin e Sopotit.

Ora 18:50
Riaktivizimi i zjarrit në Delvinë, Greqia dërgon 2 avionë për shuarjen e flakëve

 

Pas riaktivizimit të zjarrit në Delvinë, Greqia ka dërguar 2 avionë për fikjen e zjarreve.

Zjarri është riaktivizuar mesditën e sotme në vendin e quajtuar mali i Sopotit. 

Avionët do të asistojnë në shuarjen e zjarreve, të cilët vijojnë prej disa vitësh në disa zona në jug të vendit. 

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?