Sociale

Dy vite pas tërmetit, përfundon rindërtimi i 15 shkollave të financuara nga BE, Soreca entuziast: Ndërtime me standarde të larta

4 Nëntor 2021, 16:27| Përditesimi: 5 Nëntor 2021, 09:57

  • Share

Dy vjet pas tërmetit të 26 nëntorit, Bashkimi Europian dhe UNDP nisën inaugurimin e shkollave që janë ndërtuar të reja me fondet e BE-së. Nga Kavaja, ambasadori Soreca tha se BE ka investuar 115 milionë euro në objektet arsimore dhe kulturore në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti. Ka përfunduar tashmë ndërtimi dhe ka nisur mësimi në 15 shkolla, nga 63 që do të ndërtohen në total me fondet e BE-së.

Duke parë nga afër dy shkollat e reja në Kavajë, ambasadori theksoi se standardet e rindërtimit janë në përputhshmëri të plotë me ato të godinave në BE.

"Ne jemi këtu sot në kuadër të fushatës ‘EU4Education’ dhe vendi më i mirë për të hapur fushatën është këtu në Kavajë. Me kryetarin e bashkisë dhe drejtuesen e UNDP kemi vizituar dy shkolla që janë ndërtuar të reja në Kavajë. Sapo u takuam me disa nxënës fantastik dhe u thashë atyre se kam qenë këtu në Kavajë dhe para dy vitesh kur ndodhi tragjedia e tërmetit dhe asokohe diskutonim se ku mund të investonim 150 mln euro që dha BE-ja. Tani mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur duke investuar në arsim dhe kulturë. Sot arrij të shoh një ëndërr të bërë realiteti. 63 shkolla po rehabilitohen dhe 15 prej tyre kanë përfunduar dhe ky është solidariteti i BE për popullin shqiptar. Duhet ta dini se kur investohen kaq shumë para, duam që gjërat ti bëjmë mirë. Në këtë godinë dhe në të gjithë të tjerat kemi bërë ndërtime me standarde të larta. U thashë edhe fëmijëve që takova se unë për vetë nuk kam mësuar në një shkollë kaq të mirë dhe të bukur. Ata që gëzojnë këto shkolla janë qytetarët e ardhshëm të BE-së", tha Soreca.

Ndërsa, përfaqësuesja e PNUD Ms.Monica Merino, e cila sapo ka marrë detyrën në Shqipëri foli për standardet e larta të ndërtimit të shkolla dhe objekteve të tjera arsimore e kulturore.

"Këto projekte të financuara nga BE po zbatohen nga UNDP. Është nder për mua si përfaqësuese e re e UNDP në Shqipëri që shoh këto projekte tashmë të realizuara. Puna jonë bazohet në dy parime shumë të rëndësishme: Të rindërtojmë më mirë dhe më me standarde që t'u mundësojnë brezave të ardhshëm një vend më me shumë mundësi. Gjatë punës kemi folur me komunitetin dhe jemi frymëzuar nga kërkesat e tyre, që sot janë të pasqyruara në këto shkolla. Bashkë me BE ne synojmë të kemi ndikim afatgjatë tek rinia shqiptare", tha Merino.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Redjan Krali i cili tha se në nëntor do të nisë shpërndarja e apartamenteve të reja me short.

"Më datë 15 nëntor hedhim shortin për të ndarë apartamentet tek pallatet kolektive. Deri tani janë 11 shkolla, 7 nga qeveria shqiptare dhe 4 nga UNDP, dy sapo përfunduan dhe dy vazhdojnë ndërtimin. Kemi 1048 familje me bonus qiraje, deri tani kemi shpërndarë 48 shtëpi të reja individuale, dhe më 15 nëntor ndajmë dhe 49 apartamente për familjet që u dëmtuan nga tërmeti", përfundoi Krali.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?