Kosova & Rajoni

Dy vjetori i sulmit terrorist në Banjskë, Kurti kryen homazhe tek varri i Afrim Bunjakut: Serbia të na dorëzojë 45 kriminelët (VIDEO)

24 Shtator, 13:03| Përditesimi: 24 Shtator, 19:54

  • Share

Në Vushtrri u zhvilluan homazhe në varrin e heroit Afrim Bunjaku, I cili mbeti I vrarë në sulmin terrorist të Banjskës në 24 shtator të dy viteve më parë.

 Homazhe u kryen edhe nga krerët e shtetit. Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se sjellja e Serbisë pas ngjarjes duke mos dorëzuar autorët duhet të diktojë mënyrën sesi faktori ndërkombëtar duhet ta konsiderojë Beogradin zyrtar.  Kurti ka deklaruar se heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur qytetarët, rendin dhe ligjin.

“Tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e vet, këtë hero të Kosovës.

Me këtë rast dua të theksoj guximin e dyfishtë të heroit Afrim Bunjaku. Në njërën anë ai ia mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit. Dua të theksoj edhe aspektin tjetër të guximit të Afrim Bunjakut, e ky është fakti që ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të ri se ai t’ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur në rrugë nga kamionët e grupit terrorist, paramilitarë të Serbisë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiçi”, deklaroi Kurti.

Ndërsa po ashtu Kurti kishte edhe një thirrje për ndërkombëtarët, teksa tha që mos ta konsiderojnë Serbinë si një shtet normal. Ai kërkoi ndihmën e tyre për të vënë para drejtësisë 45 të akuzuarit për sulmit terrorist në Banjskë.

“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiç dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç.

Në të njëjtën kohë duhet të theksojmë se kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës si dhe për qytetarët. Aty u vranë tre terroristë dhe tre tjerë janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që edhe 45 të akuzuarit tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in dhe padyshim që do të kenë gjykim të drejtë”, tha Kurti.

Më 24 shtator të vitit 2023, një grup prej rreth 50 serbësh të armatosur, me në krye terroristin Milan Radoiçiç, sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, dhe duke plagosur një tjetër. Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.

 Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë Millan Radoiçiç është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd. Këtë e konfirmon një përgjigje e Gjykatës së Lartë në Beograd, dhënë Radios Evropa e Lirë, ku thuhet se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.

Kosova Press raporton se këtë të mërkurë Serbia provokoi në Beograd ku  zhvilloi një ceremoni nderimi për 3 nga sulmuesit e Banjskës në parkun e ashtuquajtur “Kalemegdanit” në kryeqytet. Aty terroristët u nderuan me flamuj dhe pankarta nacionaliste u nderuan sulmuesit që morën pjesë në këtë sulm.

Ora 19:30
Akademia përkujtimore në Kosovë/ Djali i policit Afrim Bunjaku: Sa herë zgjohem ndjej boshllëkun, plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë (VIDEO)

 

Në akademinë përkujtimore për policin e vrarë Afrim Bunjaku në Kosovë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se asnjë organizatë e fshehtë apo legale nuk do të lejohet ta heq asnjë grimë nga territori e sovraniteti i Kosovës.

“Sot jemi bashkuar në këtë Akademi Përkujtimore për ta kujtuar Afrim Bunjakun me emrin e përveçëm të policit hero që u vra gjatë rezistencës shtetërore të para 2 viteve për sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Siç e kemi parë dhe nga videoxhirimet e bëra me dron më 24 shtator 2023, në krye të grupit kriminal ishte Milan Radoiçiç që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe. Pavarësisht kësaj, Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë. Asnjë organizatë e fshehtë apo legale nuk do të lejohet ta heqë asnjë grimë nga territori e sovraniteti i Kosovës”.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës kërkoi që agresorët të dalin para drejtësisë.

“Historia jonë tregon se duke qenë në të drejtën tonë kemi qenë të detyruar të luftojmë, të sakrifikojmë, jo vetëm për ta mbrojtur atë, por edhe për t’ua siguruar brezave të ardhshëm. Përballë kemi pasur dhe kemi një fqinj agresor, që ka mbjellë urrejtje dhe ka financuar projekte për pushtim, ndarje e terror. Ne kurrë nuk kemi sulmuar askënd, ne kurrë nuk ja kemi prekur askujt familjen, pronën, shtëpinë apo dëmtuar jetën e shkelur të drejtat. Në këtë 2-vjetor të sulmit më të madh terrorist pas luftës dhe të rënies së heroit Afrim Bunjaku, përsërisim kërkesën që terroristët të dorëzohen pa kushte para drejtësisë sonë. Drejtësia për vrasësit e vrasjes së heroit Afrim dhe për organizimin e sulmit është lehtësim i dhimbjes kolektive dhe e vetmja garanci që një agresion i tillë mos përsëritet kurrë më”.

I pranishëm ishte dhe djali i të ndjerit Afrim Bunjaku, i cili preku të pranishmit me fjalët që tha.

“Kanë kaluar 2 vite nga ajo ditë e dhimbshme kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem e ndjej boshllëkun që kalon, e kujtoj buzëqeshjen e fjalët e tij. Por bashkë me mallin, e di se ai ra për një ideal më të madh, për atdheun, për kufijtë, për Kosovën tonë. Është e rëndë ta them, por prapë se nuk është më pranë meje, unë ndihem krenar që e pata një baba si ai. Sa herë që i takoj kolegët e tij, më kujtohet se babai im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës. Babai im, prehu i qetë, ne do të ndjekim rrugën tënde dhe do kujtojmë gjithmonë me lot dhe me krenari”.

Të pranishëm ishin udhëheqës të institucioneve shtetërore, familjarë, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe krerët e shtetit. Sot shënohen 2 vite nga vrasja e policit të Kosovës Afrim Bunjaku gjatë sulmit në Banjskë nga forca paramilitare serbe. 

A.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?