Kosova & Rajoni

Dy vjetori i sulmit terrorist në Banjskë, Kurti kryen homazhe tek varri i Afrim Bunjakut: Serbia të na dorëzojë 45 kriminelët

24 Shtator, 13:03| Përditesimi: 24 Shtator, 14:10

  • Share

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryeparlamentarin Dimal Basha, dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, kanë bërë ditën e sotme homazhe tek varri i heroit Afrim Bunjaku, i cili dy vite më parë ra dëshmor në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit të organizuar dhe udhëhequr nga Milan Radoiçiç.

Gjatë një prononcimi për mediat pas homazheve, Kurti ka deklaruar se heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur qytetarët, rendin dhe ligjin.

“Tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e vet, këtë hero të Kosovës.

Me këtë rast dua të theksoj guximin e dyfishtë të heroit Afrim Bunjaku. Në njërën anë ai ia mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit. Dua të theksoj edhe aspektin tjetër të guximit të Afrim Bunjakut, e ky është fakti që ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të ri se ai t’ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur në rrugë nga kamionët e grupit terrorist, paramilitarë të Serbisë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiçi”, deklaroi Kurti.

Ndërsa po ashtu Kurti kishte edhe një thirrje për ndërkombëtarët, teksa tha që mos ta konsiderojnë Serbinë si një shtet normal. Ai kërkoi ndihmën e tyre për të vënë para drejtësisë 45 të akuzuarit për sulmit terrorist në Banjskë.

“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiç dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiç.

Në të njëjtën kohë duhet të theksojmë se kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës si dhe për qytetarët. Aty u vranë tre terroristë dhe tre tjerë janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar që edhe 45 të akuzuarit tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in dhe padyshim që do të kenë gjykim të drejtë”, tha Kurti.

A.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Këshilli Bashkiak voton pro shkarkimit të Erion Veliajt, si e vlerësoni?