Një 14-vjeçar dyshohet se është dhunuar nga efektivë të policisë së shtetit, të cilët e kanë shoqëruar në komisarit. Denoncimi u bë publik nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit një ditë më parë, ndërsa policia thotë se ka vendosur në hetim të gjithë policët e përfshirë në këtë ngjarje.
Në lidhje me këtë ngjarje, Erinda Skëndaj, drejtoresha e Komitetit të Helsinkit tha në ‘Sot Live në Shqipëri’ se për rastin e të miturit u njoftuan nga prindërit e tij përmes një emaili.
“Denoncimi ka ardhur nga të dy prindërit para disa ditësh me anë të një emaili për ngjarjen e ndodhur. Kanë përcjellë fakte dhe të dhëna, epikrizën mjekësore e të miturit që është mbajtur në spitalin e Traumës. Gjithashtu kanë paraqitur edhe një kallëzim i cili është bërë te APM për hetimin e efektivëve. Sapo kemi marrë këtë informacion, Komiteti i Helsinkit në përputhje me misionin e tij ka dërguar 2 vëzhgues për të bërë një verifikim në terren. Ngjarja ka ndodhur më 12 prill, ndërkohë ne e kemi bërë verifikimin të hënën”, tha Erinda Skëndaj ndërsa shtoi se nuk e kanë takuar 14-vjeçarin, por kishin informacion të mjaftueshëm për ta bërë denoncimin.
Skëndaj thekson se efektivët edhe pse e evidentuan shenjën e dhunës në fytyrën e të miturit nuk e çuan për ta vizituar në ndonjë spital publik apo ta vizitonte mjeku që ndodhet në Komisariat.
“Të dhënat verifikojnë se i mituri, 14 vjeç, ka pasur shenja dhune në pjesën e syrit të tij, për të cilat sipas verifikimeve që kemi bërë rëndojnë dyshime serioze që këto akte dhune mund të jenë bërë nga tre efektivët që kanë bërë shoqërimin e të miturit Prindërit e të miturit deklarojnë se kanë qenë këta efektivë me grushta, shpulla apo dhe me fjalë ofenduese e kanë dhunuar të miturin.Shkelja më serioze është që efektivët edhe pse e kanë evidentuar shenjën e dhunës i mituri nuk është vizituar nga mjeku në Komisariat ose në një spital publik. Shkelja e dytë është mungesa e psikologut gjatë qëndrimit të të miturit në Komisariat”, tha drejtoresha për Report Tv.
Në fund Skëndaj pohoi se shenjat e dhunës në fytyrën e të miturit janë shkaktuar nga goditje me grusht dhe kjo gjë sipas saj është konfirmusr nga epikriza bërë spitalin e Traumës.
“Evidentimi i shënjës së dhunës është bërë te Trauma nga institimi i prindërve. Trauma pohoi se shenjat janë shkaktuar nga shenjat e dhunës. Epikriza nga ky spital thotë se është goditje me grushta.
Kur një i mitur shihet me shenja dhune nuk mund të mbahet në komisariat. Ne nuk do ta kishim mësuar nëse prindërit nuk do na kishin njoftuar. Kjo gjë kërkon një monitorim më të shtuar nga strukturat e policisë së shtetit që të parandalohen ngjarje të tilla", përfundoi ajo.
Komente
