Dyshimet për financimin e partive/Balla për Report Tv: Që në shtator nis puna për ligjin e ri! Duhet transparencë, nga 120 parti në zgjedhje marrin pjesë vetëm 30

26 Dhjetor 2020, 13:57| Përditesimi: 26 Dhjetor 2020, 15:06

  • Share

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një intervistë për Report Tv ka deklaruar se objektivi më i rëndësishëm i Parlamentit që do të vijë pas zgjedhjeve të 25 prillit do të jetë bërja e dy ligjeve të reja një për financimin e partive dhe një tjetër për partitë politike.

Balla ka deklaruar se është domosdoshmëri transparenca, duke kujtuar edhe një herë rastin e vitit 2017 me të gjitha dyshimet që lindën për një financim 650 mijë dollarësh në PD, që vinin nga kompani me pronarë rusë.

"Ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë hapjes së listave dhe mundësisë që shqiptarët të mos votojnë vetëm për partitë por edhe mes kandidatëve të preferuarin e tyre, deputetin e tyre. Është një zhvillim historik. Venecia ka qenë shumë e qartë në certifikimin e këtyre ndryshimeve. Gjithmonë pas përfundimit të proceseve zgjedhore Kuvendin fillon diskutimet për reformat zgjedhore dhe unë në legjislaturën tjetër, atë të 2021 në shtator, do ta vija theksin te legjislacioni që lidhet me financimin e partive politike dhe me ligjin e partive politike. Duhet ta rrisim transparencën e partive politike. Kujtoj se Shqipëria ka qenë një rast i diskutuar ndërkombëtar sa i përket penetrimit të financimeve të huaja të paligjshme, të dyshimta, sikurse ishte rasti i financimit të PD-së në vitin 2017 për rreth 650 mijë dollarë të firmosura nga Lulzim Basha por që pas investigimit të gazetarëve amerikane rezultoi që ata pagesa vinin nga disa kompani guackë në pronësi të disa shtetasve rusë. Pra në shtator do të duhet që të fokusohemi edhe në ligjin për financimin e partive politike, edhe në ligjit për sa i përket partive politike. Duhet që të kemi disa rregulla të qarta sepse jemi një vend me rreth 120 parti politike por që në zgjedhje paraqiten 20-30", u shpreh Balla.

Balla vlerësoi punën e bërë këtë vit nga Kuvendi i Shqipërisë, duke e bënë theksin në finalizimin e marrëveshjes së '5 qershorit' dhe emërimin e tre vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

"Kuvendi i Shqipërisë përmbyll sesionin e parafundit parlamentar, teksa sesioni tjetër do të jetë më i shkurtër, për shkak të zgjedhjeve të 25 prillit. Unë jam shumë krenar si kryetar i shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, për përmbylljen e një sërë vendimesh me rëndësi gjatë këtij sesioni. Padyshim dua të vlerësoj faktin se Kuvendi i Shqipërisë ishte institucioni i parë ndër tre institucionet që ka përmbyllur të tria vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Një proces tejet transparent dhe i vlerësuar nga partnerët. Kuvendi ka funksionuar në mënyrë transparente dhe normale përgjatë gjithë procesit të ligjvënies. Ne i qëndruam marrëveshjes së 5 qershorit. Kuvendi përmbylli të gjitha ligjet që u propozuan nga ana e opozitës jashtë parlamentare, amendamente që shpresoj që adresojnë të gjitha sensibilitetet dhe alibitë e tyre të përhershme. Jam i bindur që PD serish do të ketë arsye për tu ankuar", tha Balla.  

Duket folur për ligjin e ri organik për Presidentin e Republikës, Balla u shpreh se si të gjitha institucionet e tjera, duke rregulluar edhe institucioni i Presidentit.

"Të gjitha institucionet në Shqipëri rregullohen me ligje organike.  Në kushtet që reforma në drejtësi ka vendosur disa parime të zhbllokimit kur bëhet fjalë për vendimmarrjet e emërimeve është e pashpjegueshme që Presidenti i Republikës të refuzojë dekretimin e një kandidati për Gjykatën Kushtetuese i cili është emëruar në detyrë nga KED.  Kjo hedh poshtë të gjithë parimin e ideatorëve të reformës në drejtësi për të hequr bllokimin e emërimeve. Apo rasti i dekretimit të ministrave që nuk janë kompetencë e Presidentit të Republikës.  Edhe vetë institucioni i Presidentit bie dakord se duhet rregulluar me ligj organik. Sigurisht që ky është një proces që vijon. Është bërë një punë e mirë. Ka një draft paraprak", vijoi kreu i Grupit Parlamentar të PS.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Taulant Balla tha se PS është partia më e madhe në vend dhe i fiton bindshëm zgjedhjet e ardhshme.

PS ka bërë disa procese paralele për vlerësimin e deputetëve aktualë. Ky është një proces tashmë i mbyllur. Ne i kemi marrë rezultatet e para të vlerësimit që buron nga anëtarët e PS.  Kemi marrë vlerësimin për kabinetin dhe po vazhdon për kryetarët e bashkive. PS është parti e hapur për të gjithë. Është partia më e madhe në të gjitha territoret shqiptare. PS do të rikonfirmohet si forcë qeverisëse. Edhe sondazhet, edhe sondazhi i televizionit tuaj me një prej kompanive me të besueshme sa i përket sondazheve në Evropë, ka marrë atë që shqiptarët mendojnë se PS i fiton bindshëm zgjedhjet e 25 prillit", tha ai.

Në fund Balla bëri thirrje që kur të votojnë më 25 prill të kenë parasysh edhe faktin se si 'u tradhtua besimi i tyre nga PD dhe LSI kur braktisën parlamentin.

"Unë i referohem Komisionit të Venecias, e cila ka vlerësuar se heqja dorë nga mandatet nga ana PD, LSI dhe liderët e partive të vogla ka qenë një akt që bie ndesh me trashëgiminë evropiane demokratike, me vlerat më të mira. Shqiptarëve i bëj thirrje që kur të votojnë keni parasysh ata që tradhtuan besimin tuaj duke shpërdoruar mandatin që ju i keni dhënë, duke humbur edhe përfaqësimin. Asnjë votë për këta njerëz që tradhtojnë mandatin e qytetarëve", përfundoi ai.  

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?