ITALI - Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e shqiptares 13-vjeçare, Aurora Tilës, më 25 tetor 2024, pasi ra nga tarraca e një pallati.
Dëmtimet në pjesën e pasme të kafkës sugjerojnë se ajo ka rënë mbrapsht, ndoshta si pasojë e një shtytjeje, dhe jo që është hedhur. Kjo është hipoteza e mjekut ligjor Giovanni Cecchetto, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Pavisë, e paraqitur në përfundimet e autopsisë së kryer mbi vajzën. Lajmi raportohet nga e përditshmja piacentine Libertà.
Skenari i paraqitur përputhet me atë të përshkruar në urdhrin e paraburgimit të Gjykatës për të Mitur të Bolonjës kundër ish-të dashurit 15-vjeçar të Aurorës, i cili është i arrestuar nën akuzën e vrasjes me dashje dhe i mbrojtur nga avokati Ettore Maini. 15-vjeçari – që ndodhet në burg për të mitur – e mohon akuzën.
Aurora, sipas autopsisë, kishte fraktura të shumta, të gjitha të lidhura me rënien nga lartësia. Por ato fatale do të kishin qenë dëmtimet në kokë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Një tjetër pikë kyçe e ekzaminimit është përqendruar në dëmtimet e konstatuara në duart e vajzës, veçanërisht në kyçet e gishtave.
Karabinierët e njësisë hetimore të Piacenzës, të cilëve u janë besuar hetimet, kanë mbledhur dëshmitë e tre personave që pretendojnë se kanë parë ose dëgjuar atë që ndodhi mes Aurorës dhe ish-të dashurit të saj në tarracë.
Dy prej tyre pretendojnë se kanë qenë dëshmitarë të skenës, edhe pse nga një distancë e caktuar. Një i tretë thotë se ka dëgjuar britmat e dëshpëruara të vajzës.
Sipas rrëfimeve të tyre, Aurora është parë e varur pas parmakut, ndërsa djali godiste me grushta mbi duart e saj për ta bërë të bjerë.