Kosova & Rajoni

Dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, arrestohet një person në Zveçan

24 Gusht, 19:48| Përditesimi: 24 Gusht, 19:50

  • Share

Prokuroria Speciale njoftoi se është ndaluar një person i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj pjesëtarëve KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

L.M., sipas njoftimit, është dërguar në mbajte policore prej 48-orësh, pasi u ndalua në Zveçan, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.

“L. M. dyshohet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria njoftoi po ashtu se është bastisur shtëpia e të ndaluarit dhe aty janë gjetur “prova materiale që vërtetojnë veprime inkrimuese të të dyshuarit”.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Deri më tani, dy persona janë dënuar me burgim për shkak të dhunës ndaj KFOR-it, ndërkaq disa persona të tjerë po ashtu janë dënuar dhe të njëjtit kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?