Arrestohet 27-vjeçari Kalosh Peposhi, njëri nga dy kushërinjtë e shpallur në kërkim nga policia e Kukësit për blerje votash për PSD. Sipas policisë, të riut iu gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit në zgjedhje.
Ndaj tij dhe kushëririt Gazmend Peposhi, ende në kërkim, rëndon akuza“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. Mbrëmjen e së shtunës SPAK dhe policia ushtroi kontrolle në banesat e tyre. Kalosh Peposhi rezulton i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar edhe për kultivim bimësh narkotike.
Në një deklaratë publike, PSD shprehet se Gazmend Peposhi, i shpallur në kërkim nga SPAK pêr krime zgjedhore, nuk ka qenë kurre anëtar i asaj, dhe për më tepër pretendon se ai mban funksionin e kryetarit te Partisë Socialiste në njësinë administrative "Ujmisht".
Policia thotë se materialet proceduriale do t’i kalojnë SPAK, e cila ka ngritur edhe një Task Forcë për krimet zgjedhore.
“Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku u shpallën në kërkim dy shtetas për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, ju informojmë se;
Nga strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve zgjedhore në DVP Kukës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH dhe DVP Kukës, nën drejtimin e SPAK, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 27 vjeç, banues në fshatin Lusen, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë arrestimit, këtij shtetasi ju gjet një shumë e konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se do ti përdorte për veprimtari kriminale të korrupsionit aktiv në zgjedhje. Vijon puna për kapjen e shtetasit G. P.”, njofton policia.
Kujtojmë që pak ditë më parë nën hetim për blerje votash u vu edhe kryetari i PSD në Malësi të Madhe Ardian Hysa. Report TV siguroi vendimin e gjyqtarit të GJKKO Erion Bani, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për ushtrim kontrolli personal të Hysës, biznesit të tij një servis makinash dhe mjetit të tij, një Benz Mercedes. Gjithashtu kontroll personal dhe banese i është ushtruar edhe një qytetari nga Kopliku, Florenc Kalaj, i cili dyshohet se i ka kërkuar favor Ardian Hysës në këmbim të votave të tij dhe familjarëve të tij.
Komente
