Familja Halilaj në fshatin Bicaj të Kukësit hapi dyert e mortit për djalin e tyre, Bekim Halilaj, ndërkohë që pasditen e së premtes iu dha lamtumira e fundit 29-vjeçarit. Ceremonia mortore u zhvillua në vendlindje, ku trupi i të riut prehet tashmë në varrezat e fshatit Bicaj.
Në përcjelljen e tij morën pjesë qindra banorë të zonës, bashkëmoshatarë, të afërm e qytetarë nga Kukësi, të tronditur nga lajmi i rëndë që mbërriti nga Belgjika.
Bekim Halilaj u gjet i pajetë më 30 shtator në Bruksel, në rrethana tronditëse: i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor. Autoritetet belge kanë nisur hetimet dhe po shqyrtojnë të gjitha pistat, përfshirë edhe atë të krimit të organizuar. Sipas burimeve hetimore, dyshohet se në ekzekutimin makabër mund të kenë qenë të përfshirë deri në katër persona.
Emri i 29-vjeçarit kishte dalë më herët në mediat britanike. Në vitin 2017, ai ishte arrestuar në Angli, ku qëndronte ilegalisht, bashkë me tre shqiptarë të tjerë, si pjesë e një grupi të trafikut të kokainës. Për këtë akuzë, ai u dënua me shtatë vite burg.
Lajmi kryesor:
U gjet i varur në një tabelë në Bruksel, të riut shqiptar i jepet lamtumira në Kukës! I dënuar për trafik kokaine në Angli
A.D/r.k./ReportTv.al
