Një kërkesë, si një krizë besimi të Partisë së Lirisë drejt Partisë Demokratike, drejtuese e koalicionit opozitar në zgjedhjet e 11 majit mbërriti të hënën në dyer e KQZ. Ilir Meta pretendon për parregullsi në procesin e numërimit, duke ngritur dyshimin e tjetërsimit të votave për të, te kandidatët e tjerë të aleancës në 5 njësitë administrative: Kavajë, Golem, Synej, Helmas dhe Luz i Vogël.
Në total, në bashkinë e Kavajës Ilir Meta ka marrë vetëm 113 vota. Në vitin 2021 partia e tij, në atë kohë Lëvizja Socialiste për Integrim kishte 1118 vota në Bashkinë Kavajë, pra një rënie me mbi 90%. Në qytet (Kavajë) kreu i Partisë së Lirisë ka marrë gjithsej 73 vota, njësinë administrative të Golemit vetëm 26 vota, në Helmes 5, Luz i Vogël 7 dhe Synej vetëm 2 vota.
Me këtë rezultat, kreu i PL renditet i nënti mes 37 kandidatëve të aleancës, ndërsa është lënë me diferencë shumë të madhe pas nga 3 më të votuarit e kësaj bashkie Elton Roshi, që në total numëron 2815 vota, Arnold Kariqi 2133 dhe Loranca Hoxha 1841 vota.
Dyshimi i Metës mund të jetë për një tradhti të komisionerëve opozitarë, që potencialisht të kenë çuar votat e tij drejt këtyre kandidatëve më të votuar, apo drejt të tjerëve të listës së hapur. Për këtë arsye, Partia e Lirisë i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe pamje filmike të numërimit të votave preferenciale në këtë bashki.
Bashkë me Metën dyshimin se brenda partisë iu vodhën vota e kanë ngritur edhe disa kandidatë demokratë, duke nisur nga Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha apo Aulon Kalaja e Ilirjana Kuçana. Një pjesë e tyre, pasi u rrëzuan nga KAS, me argumentin se ri-numërimi kërkohet vetëm nëpërmjet Partisë, tashmë e kanë zhvendosur betejën në Kolegjin Zgjedhor.
Komente
