Spitali i Përgjithshëm i Pejës, me anë të një njoftimi kanë deklaruar se zjarri që kaploi spitalin javën e kaluar është shkaktuar në mënyrë të qëllimshme nga një person i maskuar dhe jo nga një defekt elektrik.
Në deklaratë, Spitali i Pejës tregon se çfarë dëmesh pësoi nga zjarri, shkruan Klankosova.tv.
Njoftimi i plotë:
Të shokuar nga sulmi kriminal me të cilin u përballëm!
Spitali i Përgjithshëm në Pejë është përballur me një sulm brutal dhe të tmerrshëm. Për dallim që dyshimet e para sipas ekspertizës fillestare ishte që zjarri u shkaktua nga ndonjë defekt elektrik, gjatë hetimeve dhe shikimit të kamerave të sigurisë u pa që zjarri u vu qëllimshëm nga një person i maskuar.
Qysh në orët e para pas sulmit, pas verifikimit të incizimeve në kamerat e sigurisë, e kemi kuptuar që ishte një sulm kriminal, i qëllimshëm ndaj institucionit tonë shtetëror, por pas konsultimeve me hetuesinë, nuk e kemi publikuar menjëherë këtë informacion për të mos penguar hetimet, pasi kemi qenë të sinkronizuar në tërësi me organet e rendit.
Në mëngjesin e hershem të mërkurës, rreth orës 02:20 pas mesnate, një person, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ka hyrë me forcë në dhomën ku janë pajisjet e Teknologjisë Informative dhe i ka vënë flakën kësaj dhome. Ky akt i paprecedent ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka tronditur thellë stafin dhe pacientët tanë. Megjithatë, për fat të mirë, përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur humbje jetësh apo humbje të dhënash. Ky sulm na ka goditur në zemër të veprimtarisë sonë dhe na ka bërë të ndiejmë pasigurinë që kjo situatë e krijuar nga aktet kriminale ka sjellë.
Të nderuar qytetarë,
Në ambientet ku ka ndodhur sulmi gjendet edhe arkiva e spitalit me plot dokumente që nga themelimi i spitalit, dhe në këtë bllok të spitalit janë të përqendruar shumica e shtretërve të spitalit. Jemi me fat që zjarri është lokalizuar shpejt, sepse përndryshe do të kishim tragjedi, ngase sulmuesi rrezikoj jetën e qindra pacientëve dhe personelit tonë.
Spitali i Pejës është një institucion shëndetësor që ofron shërbime për katër komuna të rajonit të Pejës. Me shumë mund dhe sakrificë, në situata të vështira, stafi ynë përpiqet të ofrojë shërbime cilësore dhe të pandërprera për pacientët tanë. Sulmi që kemi përjetuar është një goditje e rëndë për të gjithë ne, por na forcon vendosmërinë për të vazhduar misionin tonë humanitar dhe profesional. Të gjithë jemi të angazhuar për të garantuar që spitali ynë të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe efektive, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballemi.
Falënderojmë organet hetimore nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria për intensitetin dhe gatishmërinë e lartë në hetimin e këtij krimi monstruoz. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre janë një mbështetje e madhe për ne në këtë moment të vështirë. Shpresojmë që kryerësi i këtij akti kriminal të dalë sa më shpejt para organeve të drejtësisë dhe të marrë ndëshkimin e merituar. Ndërkohë, do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e pacientëve tanë.