Pas akuzave për konsumim droge dhe pas investigimeve të kryera, Damiano David këngëtari i grupit italian, Maneskin, që fitoi “Evrovizionin”, rezultoi i pastër.
Akuzat kundrejt tij për përdorimin e lëndëve narkotike, janë ngritur pasi në rrjet disa momente pas fitores së madhe në festivalit muzikor, u shpërnda një video në të cilën shfaqej Damiano, duke ulur kokën në tavolinë në një mënyrë të dyshimtë, teksa shumë kanë aluduar se ai ka qenë duke konsumuar kokainë.
Rasti u mor në shqyrtim nga Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU), duke kryer një rishikim të të gjitha pamjeve në dispozicion.
Këngëtari i grupit, Damiano, ka kryer gjithashtu vullnetarisht edhe një test droge, të martën, por ai ka rezultuar negativ.
Pas investigimit, EBU, doli në konkluzion se këngëtari është i pastër dhe atë natë nuk përdori lëndë narkotike.
“Nuk është përdorur drogë në ‘Green Room’ dhe ne e konsiderojmë këtë çështje të mbyllur.”, shprehen ata.
“Urime edhe njëherë për fitoren Maneskin, ju urojmë shumë suksese.”, shtuan ata.
Në një konferencë shtypi pas fitores, Damiano thotë se nuk përdor kokainë, “Mos thoni që ishte kokainë”, u shpreh ai.