E ka përndjekur ndër vite, figurën e At Gjergj Fishtës, fakti që në vitin 1939 pranoi të emërohej si anëtar i Akademisë Italiane. Është akuzuar për mungesë patriotizmi, deri edhe nga kolegët e tij, disa syresh, kanë bërë më vonë mea culpat përkatëse. Por, një dëshmi e rrallë e Ernest Koliqit, lidhur me këtë fakt, është botuar rishtazi në librin “Fishta rileximi në kohën e lirisë” të publicistit Frano Kulli.
Koliqi pohon se në qershorin e vitit 1939 është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane, ku është pyetur lidhur me emrat që do të ishin adapt për këtë titull, ku ndër të tjera rrëzon edhe vetë emrin e tij.
“U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: z.Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin, prej shumë kohës në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi”, shprehet Koliqi në dëshminë e tij.
Më tej, Koliqi tregon se pas vlerësimit, ka pasur një takim me Fishtën.
“Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm, fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII: ‘Jam i kënaqun për eminimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar’. Mandej poeti e la këtë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situatën evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës. Nji fat i kobshëm po na ndjek!”-thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë...”, shkruhet më tej në dëshminë e shkrimtarit.
Në dhjetor të atij viti Fishta u nda nga jeta. Pas ndalimit në diktaturë botimi i publicistit Kulli hedh dritë me atë që ndodhi me shkrimtarin e krijimtarinë e tij, pas rënies së regjimit.