Ilir Meta

E ardhmja e Partisë së Lirisë dhe e Ilir Metës

29 Prill, 18:20| Përditesimi: 29 Prill, 18:23

  • Share

Ilir Meta u zgjodh të shtunën President i Partisë së Lirisë, pasi mori 691 vota në Konventën Kombëtare të kësaj partie nga 727 delegatë që kishin të drejtë vote. Ndërkaq, Erisa Xhixho tashmë është zyrtarisht figura e dytë duke marrë 680 vota dhe duke marrë postin si zëvendëspresidente e partisë. Pas zgjedhjes edhe të drejtuesëve të tjerë të partisë me parimin se liderët formohen në opozitë dhe jo në qeveri, ashtu siç pritej, u konfirmua gjithashtu se Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e saj të ngushtë Endrit Brahimllari, Elona Guri dhe të tjerë, nuk janë më pjesë e strukturave të larta duke sjellë zyrtarisht një ndarje të madhe në këtë parti. Jo vetëm formalisht, ky moment është në fakt nisja e një etape të re në historinë e Partisë së Lirisë që nga themelimi i saj. Por tashmë pyetja e madhe është: Cila do të jetë e ardhmja e kësaj partie? Sigurisht që Konventa ishte një shkundje e madhe për partinë që deri pak javë më parë në të nuk ndodhte asgjë. Mes tollovive të shumta në media, veçanërisht në rrjetet sociale, me pikëpyetjet e mëdha përse ka shpërthyer Ilir Meta ditët e fundit, tashmë ajo që pritet është nëse koha do t’i japë të drejtë atij për të gjithë këtë lëvizje tektonike që ai shkaktoi për ta bërë partinë përsëri të madhe, apo gjithçka do të rezultojë një lëvizje bosh dhe një dështim? Në fakt, Ilir Meta ka bërë shumë beteja në karrierën e tij 34-vjeçare në politikë. Ai ka bërë disa beteja me figurat dominuese të politikës në vend si me Sali Berishën, Fatos Nanon, Pandeli Majkon, Edi Ramën.

Disa prej tyre i ka fituar, por edhe ka humbur, e megjithatë ai ka shënuar emrin e tij në histori si një nga politikanët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. I përmendi vetë këto përgjatë fjalimit duke shtuar se kishte bërë “shkollën e Ramiz Alisë, të Fatos Nanos dhe Sali Berishës për t’u përballur me mafian”. Këtu ai përfshiu edhe një betejë të mbetur në tentativë me ambasadorin italian Alberto Cutilo që kishte vënë në dyshim dekretin e tij si President i Republikës, për të cilin tregoi se do ta kishte shpallur non grata, por nuk e bëri për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Italinë. Por reale është gjithashtu se asnjë prej betejave të vjetra nuk i ngjan kësaj aktuales. Sepse në radhë të parë ai e ka betejën me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila ka qenë bashkëudhëtare në të gjitha betejat e kaluara dhe tashmë e përjashtoi nga vendimmarrja për nepotizëm. Dhe e dyta, këtë betejë ai e ka me veten duke vënë bastin e madh për ta ringritur nga rënia partinë që po tkurrej gjithnjë e më shumë.

MESAZHET E FJALIMIT Të METËS

Me 2 mijë views në livestream, 21 shares dhe 73 komente në faqen e tij zyrtare në facebook, për 1.33 minuta Ilir Meta për herë të parë mbajti në një aktivitet të lartë partie një fjalim të papërgatitur më parë me shkrim. I gjithë fjalimi i tij që nisi në orën 11.15 dhe përfundoi në orën 12.48. u shoqërua me një premtim madhor për të, që Partia e Lirisë do të bëhet sërish e madhe dhe se do të jetë ajo kingmaker-i në politikën shqiptare. Më i gjati që ai ka mbajtur në një konventë, fjalimi ishte mbushur me tepri historike nga politika botërore e ndërthurur me atë shqiptare duke dhënë shembuj që kanë mbetur në histori në memorien e kombeve të ndryshëm dhe sipas Metës nuk ka asnjë arsye përse të mos përsëriten në Shqipëri.

Ngjarja e parë që Meta e reklamoi në fjalim lidhej me historinë e Jakovit, djalit të diktatorit rus Josif Stalin, të kapur rob nga gjermanët. Për hir të fitores në betejën e Smolenskut në vitin 1941 gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk pranoi ta shkëmbente me një gjeneral gjerman të kapur rob nga rusët. Kjo nënkuptonte që për hir të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, Ilir Meta nuk mund të lejojë shkatërrimin e partisë.

Ngjarja e dytë lidhej me historinë e Vojo Kushit që u vra nga fashistët italianë në Luftën e Dytë Botërore për idealet patriotike dhe që sipas Metës në Shqipëri si ai ka ende sot personazhe të tillë edhe në Partinë e Lirisë.

Ngjarja e tretë lidhej me 19-vjeçarin Vasil Laçin, atentati i të cilit i bëri në Tiranë më 12 prill 1941 mbretit të Italisë Viktor Emanuelit shërbeu si nisje e rezistencës së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse fashistët i ofruan lehtësira në këmbim për të deklaruar se ishte paguar apo nuk ishte shqiptar, ai nuk i tradhëtoi idealet e tij dhe pas një muaj e gjysmë e pushkatuan në oborrin e burgut. Kjo nënkuptonte sipas Metës se tradhtarët në Partinë e Lirisë nuk kanë vend.

Ngjarja e katërt lidhej me historinë e kryeministrit britanik Winston Churchill i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore e dërgoi të birin, Randolph, në Jugosllavi për të parë nga afër se kush luftonte  ndaj pushtuesëve gjermanë dhe atij i thanë se ishin vetëm partizanët që luftonin, të tjerët jo. Kjo nënkuptonte se në Partinë e Lirisë duheshin mbështetur ata që punojnë dhe jo ata që janë indiferentë dhe dembelë.

Ngjarja e pestë lidhej përsëri për kryeministrin Churchill që pasi fitoi Luftën e Dytë Botërore humbi garën elektorale në zgjedhjet parlamentare dhe jo vetëm që nuk u shqetësua, por tha se kjo ishte mrekulli sepse për këtë kishte luftuar që të ishin të lirë. Kjo nënkuptonte për Metën se edhe nëse humbisnin këtë betejë, ai dhe Partia e Lirisë do të fitonin të qenit të lirë.

Ngjarja e gjashtë lidhej me historinë e legjendës së futbollit korçar Teodor Vason që ndërroi jetë pak kohë më parë dhe që nuk i shkoi në varrim asnjë personalitet i lartë lokal dhe kombëtar as nga fusha e sportit e as nga bashkia, vetëm se ai kishte kundërshtuar që në vend të terreneve sportive të ndërtoheshin kulla. Dhe për të gjithë këtë Meta bëri me faj ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe duke dhënë mesazhin se kështu sillet me armiqtë pushteti aktual.
Ngjarja e shtatë lidhej me historinë e të riut Indrit Cara nga Kavaja që në pranverën e vitit 1999 la Anglinë për tu rreshtuar me UÇK-në për çlirimin e Kosovës dhe u vra në një nga betejat me serbët. Kjo nënkuptonte se ideali kombëtar është më sublimi dhe kërkon edhe sakrifica duke e sjellë atë model për rininë e sotme.

Dhe pasi i renditi të gjitha këto Meta iu drejtua konventës me pyetjen: Këta luftuan për idealin kombëtar dhe atdheun, ndërsa ne duhet të lëmë Shqipërinë?

MONIKA KRYEMADHI Në BETEJË ME METËN

Dy herë e tregoi Ilir Meta historinë e Jakovit të Stalinit që e sakrifikoi si rob vetëm për të fituar betejën me gjermanët gjatë Luftë së Dytë Botërore. Të dyja herët ai shigjetoi bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. Dhe të dy herët i bëri pyetje sallës: Nuk dinte Stalini si ta lironte të birin e marrë peng nga gjermanët? Që nënkuptohej ndryshe: “Nuk e di Ilir Meta si ta shpëtojë Monika Kryemadhin? Por për Metën më e rëndësishme se bashkëshortja, është e ardhmja e partisë dhe për këtë ai sakrifikoi zonjën Kryemadhi. Dhe për ta sqaruar akoma më shumë plagën e nepotizmit që e quajti ndryshe sëmundjen e partisë, Meta tregoi se në një mbledhje që kishte me të rinjtë kishin marrë pjesë vetëm 15 veta dhe kjo tregonte se partia po lëngonte. Dhe për këtë fajësonte direkt Monika Kryemadhin. Për ta treguar aftrofizimin e partisë Meta vijoi edhe me një shëmbull të rëndë për mënyrën se si Kryemadhi e drejtonte partinë. Sipas tij një mësuese kishte kërkuar disa herë të anëtarësohej në Partinë e Lirisë por asaj as përgjigje nuk i jepnin. Salla me anëtarët e Konventës nuk po u besonte veshëve teksa dëgjonte këto fjalë pas 20 viteve nga themelimi i partisë dhe 30 viteve bashkëjetesë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në politië dhe si bashkëshortë.

Ndërkohë Kryemadhi dha vetëm disa mesazhe publike që e para ishte gladiatore me taka që nënkuptonte se do të vijonte një betejë më bashkëshortin e saj dhe tjetra që do të shikonte fëmijët, duke nënkuptuar që në betejën familjare ajo mbështetej nga fëmijët. Kulmi i veprimeve të Kryemadhit ishte bërja publike e votës së saj për Ilir Metën për t’u zgjedhur president i partisë. Tashmë ajo që pritet është se çdo bëjë Kryemadhi në të ardhmen: Do të nisë një betejë të re në parti duke sulmuar bashkëshortin, veçanërisht ata që e rrethojnë këto kohë, apo do të tërhiqet plotësisht nga politika. Me atë që ka treguar deri më sot,  Kryemadhi nuk është tipi i gruas “do iki në shtëpi të lajë enët”, apo “do iki se ka lënë gjellën në zjarr”. Për 3 dekada ajo ka treguar se nuk i ka bërë bisht asnjëherë betejave dhe vetëm nëpërmjet tyre është formuar si figurë politike. Gjasat janë që më shumë të ndodhë kjo e dyta. Vetëm se pritet kur do ta nisë këtë betejë. Ndoshta, pas pushimeve të verës.

SYNIMI I ILIR METËS PËR TA BËRË PARTINË PËRSËRI TË MADHE

Meta më shumë se një herë vuri gishtin në plagën e hapur dhe të madhe të Partisë së Lirisë. Dhe për këtë dha një statistikë që i la të gjithë pa fjalë: “Gjysma e partisë është në emigracion”. Sipas Metës situata ishte vërtetë e vështirë. Të vështirë ia kanë bërë situatën Metës edhe disa xhonglerë që edhe të shtunën ishin pjesëmarrës në konventë dhe kanë qenë gjithmonë aty. Kanë ndodhur shumë ngjarje në këto 20 vjet në këtë parti. Janë larguar shumë figura, por këta xhonglerë nuk kanë lëvizur. Madje, ishte për të qeshur gjatë konventës, se edhe pse nuk i dinin fjalët e këngës, vetëm për t’i pëlqyer dje Metës, ata lëviznin buzët sikur këndonin si ai “Për ty atdhe” të Mentor Xhemalit. A do ta ndjekin Metën këta tipa edhe në të ardhmen? Ata do të vazhdojnë të bëjnë xhonglime, por nuk është e sigurtë nëse Meta do t’i trajtojë sërish me të njëjtin status apo do t’i largojë nga partia siç bëri me bashkëshorten. Koha do të jetë ilaçi më i mirë për të gjitha.

Duke pranaur situatën aspak komode që ndodhet Partia e Lirisë, Meta iu kthye historive të vjetra me gjyshërit që e këshillonin se sa herë të kishte një situatë të vështirë duhet të mos dorëzoheshin. Dhe menjëherë pas kësaj bëri premtimin: Do hedhim në koshin e plehrave Rilindjen për shfarosjen që po i bën kombit. Dhe fundi i fjalimit mbante sloganin në anglisht “Never give up” (Mos u dorëzoni). E shoqëruar kjo edhe me betimin “Për ty atdhe” apo kërkesën se “jemi një vend i bekuar, por duhet të jemi një popull i bashkuar”. Por a do ta mbajë Meta këtë premtim madhor për partinë e tij? Deri në zgjedhjet parlamentare janë edhe 12 muaj. Rezultati i tyre do tregojë nëse Ilir Meta do ta fitojë këtë betejë, apo do ta humbasë. Dita e votimit do të përcaktojë edhe të ardhmen e tij politike./Tema

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?