E besuara e familjes Berisha jashtë garës për vakancat në KLP e KLGJ, Bardhi i del në mbrojtje: Sekretari i Kuvendit manipuloi procesin

3 Qershor, 17:01| Përditesimi: 3 Qershor, 19:26

  • Share

TIRANË- Pasi Kuvendi përjashtoi 6 kandidatë nga gara për 2 vendet vakante në KLGJ e KLP, nënkryetari i Rithemelimit Gazment Bardhi doli në mbrojtje të tyre duke hedhur akuza se sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka manipuluar procesin.

Bardhi ka hedhur dyshime për një proces jo të drejtë në verifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve nga radhët e avokatisë. Sipas tij Sekretari i përgjithshëm Genc Gjoncaj ka skualifikuar pa të drejtë 6 kandidatë. Bardhi mori në mbrojtje të përjashtuarit nga lista, mes tyre edhe të besuarën e familjes Berisha Entela Shehaj (Memishaj). Kjo e fundit u kandidua nga avokatja e familjes Berisha, Erinda Ballanca.

“Memishaj, me vërtetim të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, përmubush kriterin e parashikuar dhe ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj dhomës së avokatisë” tha Bardhi.

“Përparim Kalo e vërtetë që ushtruar për 1 vit e 6 muaj anëtarin e gjykatës kushtetuese, por përsa kohë ka kryer një funksion kushtetues, dhe për një periudhë të konsiderueshme kohore ka ushtruar profesionin e avokatit ai e përmbush kritetin e përcaktuar”, tha Bardhi.

“Sajmir Vishaj, është e vërtetë që ka kandiduar nga trupa e pedagogëve, por në këtë rast flitet për kandidim të njëkohshëm, jo pas 5 vitesh kur kandidon për një garë të re. Çmoj që ky kriter është i aplikuar gabim nga sekretari i përgjithshëm. Nga radhët e pedagogëve nuk ka më vakancë dhe në atë garë të mëhershme nuk është kualifikuar”

“Albana Tushe, ka një periudhë shumë të shkurtër që nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe sekretari i përgjithshëm e konsideron si një shkëputje nga periudha e ushtrimit të avokatit dhe nuk është ndjekur i njëjti shembull me të tjerët”

Nënkomisioni gëzon kompetencën për të rikthyer në garë kandidatët e skualifikuar me 4 vota, ndërsa votimi për listën përfundimtare do të kryhet të premten. Entela Shehaj (Memishaj), është e besuara e familjes Berisha. Memishaj u skualifikua për mosplotësimin e kriterit të vjetërsisë në profesionin e juristit për 15 vite. 

Shqiptarja.com zbuloi se emri i Entela Shehajt është i lidhur direkt me atë të Ismail Mulletit, biznesmeni i njohur për lidhjet e shumëfishta me Partinë Demokratike, dhe që nga dokumentat rezulton se i ka paguar në 2008 plot 350.000 euro Shkelzen Berishës për një aferë imobiliare shumë të dyshimtë. Personazhi kyç, me anë të cilit Mulleti i ka dhënë si bakshish Shkëlzen Berishës, në dy pagesa, 200 mijë euro dhe 150 mijë euro, është pikerisht Entela Shehaj Memishaj. (Lexo Investigimin e plotë).

Përjashtimi më i rëndësishëm është ai i Përparim Kalos pasi ai renditej i dyti në listën për KLGJ dhe i pari në listën e KLP-së sipas pikëzimit të dhënë nga komisioni ad-hoc i ngritur nga Avokati i Popullit. Gjonçaj e ka skualifikuar Kalon për shkak se sipas tij nuk plotëson kushtet duke qenë se ka ndërprerë ushtrimin e profesionit të avokatit në periudhën që ai ka shërbyer si anëtar i Gjykatës Kushtetuese për 1 vit e 6 muaj.

Si përzgjidhen anëtarët e rinj të KLP dhe KLGJ? 

Në listën përfundimtare që i paraqitet Komisionit të Ligjeve, nga e cila do të përzgjidhen 2 anëtarët e rinj në KLGJ në vendin e parë renditet Eris Hysi e ndjekur nga Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Bledar Bajri dhe Saimir Kola. Ndërsa listën e kandidatëve për dy vende në KLP e kryeson Erind Mërkuri ndjekur nga Erind Gërmenji, Albens Tabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri e Saimir Kola.

Dispozitat ligjore parashikojnë që 4 kandidatët për 2 vende vakante në KLGj dhe 2 në KLP i nënshtrohen votimit në seancë plenare pasi zgjidhen nga kjo listë me konsensus politik (4 vota pro) nga 5 anëtarët e nënkomisionin të ligjeve.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?