Kosova & Rajoni

E bija iu dhunua për vdekje nga bashkëjetuesi e shoku i tij, babi i viktimës flet për 'Report Tv': Lajmin e mora nga rrjete sociale! Uroj që rasti i vajzës sime, të jetë i fundit i dhunës ndaj grave

24 Gusht 2021, 12:38| Përditesimi: 24 Gusht 2021, 13:00

  • Share

Një ngjarje tragjike, lajmin për të cilën e morën në mënyrë po aq të rëndë, ka qenë ndarja nga jeta e 18-vjeçares Marigona Osmani për familjen e saj. Osmani u dhunua për vdekje nga bashkëjetuesi i saj, Dardan Krivaqa, dhe shoki i tij, Arbër Sejdiu, ndërsa babi i të ndjerës, Muhabi Osmani, me zërin që i dridhej nga dhimbja, tha për 'Report Tv' se lajmin për ndarjen nga jeta të së bijës e kishte marrë nga rrjete sociale dhe më pas kishte shkuar për të identifikuar trupin e pajetë të të resë, që u gjet në derën e spitalit në Ferizaj.

"Lajmin e kam marrë nëpërmjet rrjeteve sociale.  Në atë moment shkova në stacionin policor dhe më pas më treguan vajzën", ka thënë ai për 'Report Tv'.

Për personin me të cilin jetonte e bija, ai tregon se ta kishin 2 muaj që jetonin bashkë dhe me keqardhje shton se nuk kishin dijeni që Krivaqa kishte të shkuar kriminale.

"Kanë qenë 2 muaj së bashku. Ai personi ka pasur një farë të shkuar kriminale, të cilët fatkeqësisht nuk e kemi ditur deri sa ka ndodhur ngjarja e rëndë kriminale.  Falenderoj dhe policinë e Ferizajt që më kanë punuar për zbardhjen dhe kapjen e autorëve të krimit. Falenderoj njerëzit, dashamirësit, shoqatat që më kanë dhënë përkrahje për rastin e vdekjes tragjike të vajzës time", u shpreh ai. 

I ati i të ndjerës pati edhe një apel për prindërit, duke i kërkuar të shohin me kujdes personat me të cilët shoqërohen vajzat e tyre, duke uruar që rasti i vajzës së tij, të jetë rasti i fundit kur ushtrohet dhunë mbi një grua.

"Apeli im është kujdes me kë vajza me kë shoqërohet, kujdes të madh duhet të ketë prindi. Është një kohë tejet e vështirë . Do zoti ky të jetë rasti i fundit i kësaj dhune", theksoi mes dhimbjes për humbjen e së bijës Osmani.

18-vjeçarja, Marigona Osmani u la e vdekur ditën e djeshme nga dy të rinj në derën e spitalit. Arbër Sejdiu, 32 vjeç, u arrestua dje nga policia, ndërsa sot u vu në pranga edhe 29-vjeçari Dardan Krivaqa.  Ata u panë nga kamerat e sigurisë, duke lënë 18-vjeçaren pa shenja jete në dyert e spitalit e pastaj largohen me një makinë ‘Audi A8’ me targa zvicerane me ngjyrë të zezë.

Për ngjarjen e rëndë reagoi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili i bëri thirrje organeve të drejtësisë që të vënë para përgjegjësisë autorët. Po ashtu, një reagim pati edhe nga presidentja Vjosa Osmani, që iu kërkoi qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë që të gjendet një nga vrasësit e 18-vjeçares.


Lajmi kryesor:

Kosovë/ E la të vdekur në derën e spitalit, arrestohet bashkëjetuesi i 18-vjeçares! Familjarët e shokut: Parandaloi një vrasje të dytë, autori bashkëpunoi me policinë! I ati i viktimës: S'e dinim të shkuarën e tij!


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?