Sadije dhe Dritero Agolli të rinj

Kultura

E bija zbulon letrat e dashurisë së Dritëro Agollit në ditëlindjen e Sadije Agollit: Isha në merak për ty, mos të hipën temperatura

14 Shtator 2021, 14:23| Përditesimi: 14 Shtator 2021, 14:31

  • Share

"Kemi bërë një udhëtim shumë të bukur... Mua më vinin mentë tek ti e thosha me vete: ”e gjora , mos sëmuret dhe mos i hipë temperatura në mbrëmje". Kështu e nis një prej letrave të tij të dashuri poeti i madh shqiptar që i dërgonte të fejuarës së tij, Sadijes 29 prillin e 1965-s. Letra është bërë publike sot nga vajza e çiftit, Elona  Agolli.

Në letër Dritëroi i shkruan Sadijes për udhëtimet e tij por edhe një problem  që kishte me tregimet “Zhurma e erërave të dikurshme", vepër që u kritikua shumë nga regjimi.

Shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli, ka vdekur në shkurt të vitit 2017 në moshën 85-vjeçare. Krijimtaria e tij letrare është e pasur me gjini të ndryshme si: poezi, poema, tregime, romane, drama e skenarë filmash, që e kanë bërë fitues të disa çmimeve. Agolli, për shumë vjet, ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai njihet për poezinë e tij popullore dhe mjaft të pëlqyer nga publiku.

Postimi i plotë i vajzës së Dritëro Agollit

E dashura Sadija ime,

"Kemi bërë një udhëtim shumë të bukur. Udhës kemi qëndruar e kemi pirë kafe e cigare. Mua më vinin mëntë tek ti e thosha me vehte:” e gjora , mos sëmuret dhe mos i hipë temperatura në mbrëmje”. Me të vërtetë mund të të hipë temperatura! Ti qëndrove shumë në erë me mua. Do të kem shumë merak gjersa mos marr lajm nga ti që je mirë.

Në Fushë -Krujë shkuam në teqe. Ishte një vend i bukur. Unë dola në fotografi me një dervish me mjekër të gjatë. Patjetër do të ta dërgoj kur ta shtampos. (Donja të hanja drekë me dervishin, po guzhinjeri -dervish ishte pis e kishte thonj me baltë).

Sa erdha në shtëpi fjeta dhe u ngrita vetëm në orën shtatë. E takova Lenën * e Ismailit nga klubi e më pyeti shumë për ty. Ajo mendonte se ti do të vinje për një Maj , po unë i thashë që mendime të tilla janë të kota.

Tregimet * po m’i shajnë shumë. Po unë jam mjaft gjakftohtë, aq gjak-ftohtë nuk është edhe një zhapi !

Vezët * Luigjina * nuk i ka sjellë gjer tani . Duhet të ketë patur drojtje. Mua do të më pëlqenin, se jam një vezëngrënës i çquar .

Mos u mërzit , unë do të vij shpesh tek ti e do të të puth shumë jo si këtë radhë.

                                Edhe një herë të puth fort

                                         Dritëro

                                                29.4.65

* Tregimet “ Zhurma e erërave të dikurshme “ të kritikuara dhe të hequra nga qarkullimi .

* Lena - Elena Kadare , mike e ngushtë e Sadijes .

* Vezët e pashkëve

* Luigjina Leka ,mike e Sadijes nga Shkodra.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?