Bota

Donald Trump mbyll 'Zërin e Amerikës', nuk transmetohet as 'Ditari'! Biberaj: Dëm i madh në imazhin e SHBA-së! Ndërpriten fondet dhe për REL

15 Mars, 19:15| Përditesimi: 15 Mars, 22:49

  • Share

Presidenti i SHBA-së Donald Trump mbyll “Zërin e Amerikës”, organizatën më të madhe mediatike ndërkombëtare në SHBA e themeluar në 1942 dhe e pranishme në më shumë se 45 gjuhë të botës.  

'Ditari i Zërit të Amerikës', që transmetohej çdo ditë në orën 18:00 (më orën tonë) dhe ku përcillen lajmet më kryesore në Shqipëri, rajon dhe botë nuk u transmetua sot dhe nuk do të transmetohet më për publikun shqiptar.

Lajmi u konfirmua dhe nga një prej gazetarëve të rëndësishëm të “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj i cili deri në 2023 ka mbajtur dhe postin e drejtorit të sektorit të Euroazisë të Zërit të Amerikës.

“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe të vërtetës për qindra miliona anembanë globit, u mbyll sot në emër të reduktimit të burokracisë federale.

Për më shumë se tetë dekada, Zëri i Amerikës ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke paraqitur me besnikëri politikat e SHBA-së, duke avancuar interesat kombëtare dhe duke shërbyer si një burim i besueshëm lajmesh të besueshme për miliona në rajone të privuara nga informacioni.

Vendimi për të çmontuar një nga asetet më të mëdha kombëtare të Amerikës do të shkaktojë dëm të thellë në imazhin e SHBA-së, interesat e saj globale dhe promovimin e vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë. Sot shënon një kapitull thellësisht të trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën”, shkruan Biberaj në një postim në facebook.

Zëri i Amerikës është një nga agjencitë më të besueshme të lajmeve në botë, që ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm dhe ka luajtur një rol jetik për t'u sjellë shqiptarëve informacione të paanashme, të sakta dhe objektive në periudhat e saj më të vështira dhe në vijim.

Si u themelua Zëri i Amerikës?
Ajo është organizata më e madhe mediatike ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara, e pranishme në më shumë se 45 gjuhë për ata që nuk kanë qasje të plotë tek media e lirë. Financohej plotësisht nga taksapaguesit amerikanë në kuadër të Agjencisë Amerikane për Median Globale.

U krijua në vitin 1942 me përkushtimin për të mbuluar ngjarjet në mënyrë gjithëpërfshirëse e të pavarur dhe për t’u treguar njerëzve të vërtetën. Për herë të parë radio Zëri i Amerikës filloi të transmetojë më 1 shkurt të vitit 1942, rreth dy muaj pasi forcat japoneze bombarduan bazën Pearl Harbor dhe Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Dytë Botërore.

Misioni dhe pavarësia e Zërit të Amerikës garantohen me ligje që mbrojnë gazetarët e këtij institucioni nga ndikimet, presioni apo përndjekja e zyrtarëve qeveritarë ose politikanëve.

Në 1976, Presidenti Gerald R. Ford nënshkroi Kartën e Zërit të Amerikës, ku thuhet: 

-Zëri i Amerikës shërben si një burim vazhdimisht i besueshëm dhe autoritar lajmesh. Lajmet e Zërit të Amerikës janë të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse.

-Përfaqëson të gjithë Amerikën, jo një segment të caktuar të shoqërisë amerikane, dhe për rrjedhojë ofron një pasqyrë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit dhe institucioneve amerikane me peshë.

-Pasqyron politikat e Shteteve të Bashkuara në mënyrë të qartë dhe efektive; ai pasqyrojë gjithashtu diskutime dhe opinione të përgjegjshme mbi këto politika.

Në vitin 1994, Kongresi amerikan miratoi Ligjin Për Transmetimet Ndërkombëtare Amerikane. Ky ligj kërkonte që puna e gazetarëve të Zërit të Amerikës të jetë autoritative, e saktë, objektive, gjithëpërfshirëse, e balancuar dhe një pasqyrim i larmisë kulturore dhe sociale të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2016, Kongresi riafirmoi në Ligjin Autorizues për Mbrojtjen Kombëtare se mbledhja e fakteve dhe raportimi i lajmeve duhet të vazhdojnë të jenë funksione të pavarura dhe objektive.

Kur Zeri i Amerikës foli shqip?

Më 13 maj 1943, (një vit nga themelimi i Zërit të Amerikës)  nga studiot e atëhershme të Nju Jorkut, VOA foli për herë të parë në shqip. Ndërsa bota ishte përfshirë në Luftën e Dytë Botërore, transmetimeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara iu shtua edhe gjuha shqipe. Emisionet në shqip u ndërprenë në vitin 1945, por u rihapën përsëri më 13 maj të vitit 1951 ndërsa bota e gjente veten në një luftë tjetër, atë që hyri në histori si Lufta e Ftohtë.

Zëri i Amerikës në shqip, atëhere dhe sot, vazhdon të luajë një rol jetik për t'u sjellë shqiptarëve informacione të paanashme, të sakta dhe objektive, mbi zhvillimet në vendet e tyre, në botë dhe në Shtetet e Bashkuara.

 Programet në gjuhën shqipe, në të gjitha platformat mediatike, kanë një ndjekshmëri javore prej 60.5 për qind në Shqipëri dhe 64 për qind në Kosovë.

Pezullohen fondet dhe për REL
Pjesë e Agjencisë Amerikane për Media Globale është dhe Radio Europa e lirë të cilës i është dërguar njoftim për pezullimin e granteve. Të shtunën në mëngjes, (15 mars) Kari Lake, i cili është emëruar si këshilltar i lartë i agjencisë, postoi një mesazh në rrjetin X ku i kërkoi punonjësve të kontrollojnë email-et e tyre. Kombinimi i këtyre rrjeteve arrin një audiencë prej rreth 427 milionë njerëzish. Ndërkohë më parë Zërit të Amerikës i ishte kërkuar që të ndërpriste kontratat me agjenci lajmesh si Associated Press, shkruajnë mediat amerikane

Ora 22:37
'Ju flet Zëri i Amerikës', pas 82 vitesh që flet shqip, mbyllet 'Ditari', prej sot nuk transmetohet më

“Ditari’ i Zërit të Amerikës, nuk u transmetua sot në orën 18:00, ashtu siç ndodhte çdo ditë.  

Pas 82 viteve që flet shqip Zëri i Amerikës u mbyll pas urdhërit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump për shkurtime masive në agjencitë e lajmeve.

Për herë të parë VOA foli shqip më 13 maj 1943. Kjo nuk është hera e parë që transmetimet në shqip ndërpriten.

Emisionet në shqip u ndërprenë në vitin 1945, por u rihapën përsëri më 13 maj të vitit 1951 ndërsa bota e gjente veten në një luftë tjetër, atë që hyri në histori si Lufta e Ftohtë. Viteve të fundit ‘Ditari’ transmetohej edhe në disa kanale televizive shqiptare

Ora 20:51
E-maili i dërguar punonjësve të Zërit të Amerikës: Mos hyni në institucion

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se punonjësit e “Zërit të Amerikës” nga sot kanë kaluar në leje të paguar.

Punonjësve u është shkruar me email ku njoftoheshin se ishin vendosur në leje administrative me pagë dhe përfitime të plota “deri në një njoftim tjetër”.

Po kështu email-et, e dërguara nga ekzekutivi i burimeve njerëzore në Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM), agjencia mëmë e “Zërit të Amerikës”, i udhëzonin ata të mos hynin në ambientet e punës ose të aksesonin sistemet e brendshme.  Nuk është e qartë sa punonjës u prekën nga ky vendim.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • dori: 15/03/2025 22:35

    Shumë mirë ka bërë që e mbylli

    Përgjigju
  • Biberoni: 15/03/2025 22:04

    Zëri Amerikes një institucion me një rëndësi pas luftës së dytë botërore dhe gjate luftës së ftohtë e kish humbur të gjithë relevvancen në 20 vitet e fundit. Ishte një strehëz paraqitesh si puna e këtij Biberos që drejtonte seksionin e Evropës Juglindore dhe Euro-asia. Bëri shumë mirë që e mbylli se ishte bërë si radio Tirana e viteve 80

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?