Milani nuk po e kufizon vëmendjen vetëm tek afati kalimtar i janarit për një mbrojtës qëndror apo një sulmues anësor. Skuadra kuqezi tashmë po hedh sytë drejt merkatos së verës 2026 dhe sipas mediave spanjolle, ka nisur të ëndërrojë për Robert Lewandowskin.
Sipas të përditshmes katalanase 'Sport', kanë nisur kontaktet e para mes agjentit të yllit polak, Pini Zahavi dhe drejtorit sportiv të kuqezinjve, Igli Tare. Ky i fundit ka kërkuar informacion mbi situatën e sulmuesit të Barcelonës dhe gatishmërinë e tij për të konsideruar një transferim në Serie A.
Lewandowski, i cili mbush 38 vjeç në gushtin e ardhshëm, ka kontratë me Barcelonën deri më 30 qershor 2026, por gjithçka tregon se ndarja mes palëve është e mundshme në fund të sezonit. Tare, që ëndërron një tjetër “goditje” të lirë në stilin e Luka Modric, është i interesuar ta marrë Lewandowskin në Milano, duke i ofruar atij mundësinë për të mbyllur karrierën në një nga klubet më të mëdha italiane.
Fanella me numrin 9 është ende e lirë dhe duket se po pret pronarin e duhur. Megjithatë, operacioni mbetet i ndërlikuar. Lewandowski përfiton aktualisht rreth 33 milionë euro në vit te Barcelona, një shifër që Milani e ka të vështirë ta përballojë. Por kontaktet e para janë bërë dhe shpeshherë, ëndrrat e mëdha fillojnë pikërisht me një telefonatë.
Në skenë janë futur edhe disa klube nga Arabia Saudite, të cilat janë të gatshme të dyfishojnë pagën e tij, por Lewandowski thuhet se është ende i interesuar të qëndrojë në Evropë dhe të luajë në nivelet më të larta.
Nëse ai vendos të vazhdojë aventurën në Kontinentin e Vjetër, Milani dëshiron të jetë aty, gati për të kapur mundësinë. Trajneri Massimiliano Allegri, i njohur për preferencën ndaj lojtarëve me përvojë, e pret krahëhapur, në fund të fundit, mosha është thjesht një numër dhe Modric është dëshmia më e mirë për këtë.
Komente
