Shqipëri - Poloni, kjo është ndeshja e nesërme e orës 20:45 në “Air Albania”, e vlefshme për grupin E kualifikues të Euro 2024. Kombëtarja jonë mban vendin e dytë në grup me 7 pikë, një më shumë se Polonia dhe një më pak se Çekia kryesuese.
Tanimë miqtë polakë kanë mbërritur në Shqipëri, me trajnerin Fernando Santos që foli para medieve. Për të, asnjë ekip nuk do jetë i kënaqur me barazimin. Portugezi ka vlerësuar ekipin tonë.
A do të ishte dështim barazimi me Shqipërinë?
'As unë dhe as trajneri i Shqipërisë nuk hyjmë për barazim, secila skuadër do të luajë për të fituar. Shqipëria është një kundërshtar me shumë cilësi, do të luftojmë. Është një skuadër që zhvillohet vazhdimisht, kam qenë në krye të një skuadre që është ndeshur me Shqipërinë në 2016 dhe jam i vetdjishëm për forcën e tyre.
Është një skuadër e mirë-organizuar dhe me cilësi shumë më të mirë se më para. E njoh mjaft edhe trajnerin e kundërshtarëve. Është një skuadër që di të mbrojë dhe të sulmojë, është e organizuar dhe nesër të dyja skuadrat do të luajmë për fitore.'- tha ai.
Çfarë ndodh nëse humbisni nesër, trajneri Sylvinho nuk ka humbur pas sfidës me Poloninë?
'Në futboll dikush fiton, dikush humbet. Në rast se fitojmë do të shikojmë ndeshjet e radhës dhe do ta kemi vetë në dorë fatin tonë, në të kundërt do të varemi nga të tjerët.'- tha ai.
Morali në ekip? Morali është shumë i mirë dhe kështu ka qenë gjithmonë, pavarësisht çfarë ndodh në fushë, në dhomat e zhveshjes jemi një skuadër e vërtetë. E njohim potencialin e Shqipërisë dhe nesër do të përpiqemi me të gjitha forcat për një rezultat pozitiv”, tha mes të tjerash Santos.