E diela jashtë për fëmijët dhe nënat...por parku i Liqenit 'pushtohet' nga baballarë, thirrje Ramës: Mendo edhe për ne

26 Prill 2020, 07:32| Përditesimi: 26 Prill 2020, 13:28

  • Share

TIRANË- Sot ishte e diela e dytë radhazi që i kushtohej nënave dhe fëmijëve të tyre të cilët kishin leje për të dalë deri në orën 11:00. Në shumë qytete u shfrytëzua ky vendim i autoriteteve, me nënat kryesisht, por edhe gjyshet, që nxorën shëtitje fëmijët apo mbesat e nipërit e tyre.

Fëmijët u dhanë gëzim rrugëve kryesore, parqeve dhe hapësirave të tjera, duke krijuar sadopak idenë e një ditë të zakonshme, sikur të mos ekzistonte koronavirusi. Gjithsesi nga kjo leje përfituan edhe baballarë e gjyshër, të cilët nuk i rezistuan kohës me diell dhe dolën të merrnin rreze.

Sakaq disa burra patën edhe një kërkesë për Ramën, duke i thënë se duhet të mendojë edhe për këtë kategori. Nuk munguan as nënat, që gjithashtu u bënë thirrje autoriteteve të shtonin ditën e lejedaljes.

Ora 12:45
Në Durrës jo vetëm nëna me fëmijë, por edhe burra duke bërë plazh

Në rrugët e qytetit të Durrësit ditën e sotme nuk janë parë vetëm nëna me fëmijë, siç është urdhri i qeverisë, por edhe burra e të moshuar që kanë dalë nga shtëpia për një shëtitje. Disa të tjerë e kanë pasur të pamundur t'i rezistojnë temperaturave të lartë dhe kanë bërë plazh.

Ora 12:09
Në Lezhë nënat me fëmijët mbushin shëtitoren pranë plazhit, i moshuari që theu karantinën: Policia është me ne, sot dola se u kënaqa duke pa fëmijët (VIDEO)

Zona turistike e Shëngjinit ka qenë e populluar nga qytetaret paraditen e kësaj të dielë. Krahas nënave më fëmije janë parë dhe kategori të tjerë personash të cilët e kanë thyer karantinën për të shijuar rrezet e diellit dhe motin e ngrohtë pranë bregdetit. Në shëtitoren e plazhit kishte lëvizje të shumta dhe qytetaret lëviznin në mënyre të grupuar, duke mos ruajtur as distancën mes njëri tjetrit.

"Besoj se virusi ka arritur një farë kulmi dhe fëmijët nuk durojnë dot më në shtëpi. Sot po kalojmë shumë mirë,"-shprehet një nënë.

Ndërkohë një i moshuar që kishte thyer rregullat e karantinës deklaron: "E di që nuk lejohet, por pse të dukem i rritur shumë?! Unë jam më keq se i fëmijë. Por pleqve nuk i thuhet se farë të bëjnë e dinë vetë, budallikun e kanë me vete. Kam dalë dhe dje por sot dola se u kënaqa duke parë fëmijët. Unë i kam marrë masat e s'kam frikë, ndërsa policia është me ne."

Ora 11:59
Elbasani sot si në Ditën e Verës, qyteti gumëzhin nga nënat me fëmijë (VIDEO)

 

Në Elbasan dita e sotme duket si dita e verës. Të shumtë janë nënat që me fëmijët e tyre kanë dalë për të shijuar motin me diell dhe lejen e tyre të daljes. Të gjitha parqet e Elbasanit si dhe sheshi gumëzhin nga fëmijët, të cilët me plot qejf luajnë me bashkëmoshatarët e tyre.

Ndër më të populluarat janë qendra e qytetit, lulishtja pranë qendrës dhe parqet, por edhe pranë stadiumit të shumtë janë ata që janë grumbulluar.

Ora 11:49
'Kisha një muaj e gjysmë pa dalë', vogëlushja në Korçë: Sot jam shumë e lumtur (VIDEO)

Korça sot është zgjuar me zhurmat e fëmijëve të cilët së bashku me nënat e tyre kishin mbushur rrugët dhe parqet e qytetit. Kjo liridalje, e dyta për këtë kategori, ka gëzuar shumë fëmijët, të cilët gjatë gjithë kohës loznin.

"Kemi dalë edhe të dielën e parë. Fëmijët duhet të dalin, janë të lumtur, por .... Ka qenë e vështirë kur fëmijët janë të izoluar se lozin, bërtasin, bëjnë rrëmujë,"-shprehet një nënë që kishte dalë me vajzën e saj. Ndërkohë që vogëlushja shprehet: "Sot ndjehem shumë mirë dhe jam e lumtur."

"Kisha një muaj e gjysmë pa dalë, por sot është hera e dytë se dola dhe javën e kaluar. Sot jam shumë e lumtur, ndërsa përsa i përket mësimit online është pak e vështirë,"-shprehet një vajzë e vogël.

Ora 11:40
Dita e lejes për nënat me fëmijë, Rama publikon videon , kryeqyteti i mbushur plot

Në ditën e kushtuar për nënat dhe fëmijët, të cilët kanë leje dalje, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video që tregon këtë kategori teksa sot shijojnë kryeqytetin. Në videon e publikuar nga Rama duket qendra e populluar nga fëmijët, gjithashtu Parku i Liqenit, por edhe pjesa para stadiumit kombëtar.

Ora 11:22
Saranda e mbushur me nëna me fëmijë, burra dhe të moshuar, por në rrugë pa asnjë masë sigurie (VIDEO)

Saranda mëngjesin e sotëm është zgjuar nga zhurmët e fëmijëve të cilët kishin dalë së bashku me nënat e tyre duke përfituar nga leja e dhënë nga autoritet. Por së bashku me të lehtësisht dallohej se shumë të moshuar dhe burra kishin thyer rregullat duke dalë shëtitje.

Gjithsesi nënat me fëmijët e tyre kryesisht kishin zgjedhur të bënin një xhiro në shëtitore buzë detit, që sot ishte e tejmbushur, ndikuar edhe nga koha e mirë. Diçka shqetësuese që vihej re në video është se fëmijët qëndronin shumë afër njëri-tjetrit, duke mos respektuar masat e sigurisë, që duhet të udhëzoheshin nga prindërit e tyre.

Ora 11:20
Shkodra si Tirana, qyteti jo vetëm me nëna dhe fëmijë, por edhe të moshuar e burra (VIDEO)

Nënat në Shkodër e kanë shfrytëzuar lejen për daljen ditën e sotme së bashku me fëmijët duke mbushur rrugët dhe parqet e qytetit, të cilët gumëzhin nga zhurma. Gjithashtu nuk mungonin as rastet kur në rrugë shihje të moshuar, burra dhe shumë persona të tjerë të cilët sot duhet të qëndronin në shtëpi, në mënyrë që nënat me fëmijë ta kishin qytetin vetëm për vete, për arsyen se në këtë mënyrë favorizohet përhapja e virusit.

Në Shkodër edhe koha shumë e mirë favorizon daljen nga shtëpia, diçka e cila është shfrytëzuar në masë referuar videove.

Ora 11:01
'Xhaxhi Edit do t'i kërkoja të dilja dy herë në javë', vogëlushja në Berat: Sot është dita e nënave dhe fëmijëve (VIDEO)

Mëngjesi i së dielës e ka gjetur Beratin të mbushur me fëmijë. Pedonalja e qytetit ka qenë e populluar me mjaft nëna, që përdore mbanin fëmijët, të cilët dukeshin mjaft të lumtur. Njëra prej tyre shprehet:

"Kam dale më mamin dhe nënën dhe jam shumë e kënaqur. Sot është dita e nënave dhe fëmijëve. Xhaxhi Edit do t'i kërkoja të dilja dy herë në javë. Kur jam në shtëpi merem me vizatim."

Ora 10:53
Në Lushnje nënat me fëmijë mbushin rrugët, por bashkia nuk i lejon në parqet e qytetit (VIDEO)

Qindra fëmijë të shoqëruar nga prindërit e tyre janë dyndur nëpër parqe dhe rrugët e Lushnjes. Fasha orare e liridaljes ka bërë që fëmijët e grup moshave të ndryshme të shijojnë pranverën në këto ditë karantine. Megjithatë nuk janë lejuar të qëndrojnë nëpër parqe e lulishte nga policia bashkiake. Absurd urdhri, por shumica e kanë neglizhuar, ndërsa shumë prindër kanë shijuar me fëmijët e përqendruar në parkun kryesor të qytetit.

Ora 10:51
Me gjyshen shëtitje pas karantine, fëmija në Fier: E puth mamin, më ka mbetur në Gjermani (VIDEO)

Sot në Fier një atmosferë ndryshe nga ditët e tjera të pandemisë. Fëmijë te shoqëruar me nënat e tyre kanë mbushur qendrën e qytetit si dhe lulishtet duke krijuar një ambient të gëzueshëm në këtë ditë. Përveç fëmijëve që ishin shumë të gëzuar edhe nënat deklaronin të njëjtën gjë. Disa prej tyre u shprehën:

"Sot është dita e dytë që dalim pas javës së kaluar. Një ditë shumë e bukur dhe fëmijët po gëzohen. E pritën me padurim sa që vajza po më thoshte iku koronavirusi dhe tani do dalim,"-shprehet një nënë.

"Sot është një ditë e bukur, falënderojmë kryeministrin që na lejoj pasi djali numëroj ditët sot. 50 ditë tha pa dalë, që në datën 9. S'po e zinte gjumi, u ngrit që në 6 për të dalë,"-shprehet një nënë, ndërkohë që djali i saj deklaron: "Jam kënaqur shumë që kam dalë sot me mamin. Më parë kam qenë shumë i mërzitur që kam qenë në shtëpi dhe nuk kam dalë fare."

"Dolëm të kënaqim mbesat. Mami i tyre është në Gjermani me të shoqin. Burri i saj është me dokumenta, ndërsa ajo shkoi atje për dy javë, por mbeti atje për shkak të situatës,"-deklaroi një gjyqe që kishte dalë shëtitje me mbesat.

"U ndjeva shumë e gëzuar që pas një karantinë të gjate dola. Sot u kënaqa. Mamin e kam në Gjermani dhe më ka marrë malli për të,"-shprehet një vogëlushe e cila nënën e saj e përshëndet me një puthje nëpërmjet televizionit.

Ora 10:19
Jo vetëm nëna me fëmijë, Parku i Liqenit i tejmbushur me të moshuar dhe baballarë (VIDEO)

E diela e sotme është vënë sërish në dispozicion të nënave dhe fëmijëve deri në moshën 10-vjeç, për herë të ditë pas asaj të një jave më parë. Në Tiranë, parku i liqenit paraqitet i tejmbushur jo vetëm me nëna dhe fëmijë, por me gjyshër, të moshuara, por edhe me baballarë.

Vihet re se përveç këtij fakti është shqetësuese edhe respektimi i distancës, i cili mungon. Gjithashtu dallohen edhe shumë persona të cilët nuk kanë jo vetëm doreza, por edhe maska.

Edhe javën e kaluar kishte disa persona të cilët thyen rregullat, por sot numri i tyre duket i shtuar. Kjo do të thotë se burrat nuk e kanë marrë parasysh udhëzimin e Ramës për të qëndruar në shtëpi dhe për të bërë punët.

"Nuk më shqetëson shumë fakti që ka shumë njerëz. tani ne kemi mbetur mbyllur dhe këtë të dielën mezi e presim. Unë dal çdo ditë, por fëmijët vetëm të dielën e kaluar kanë dalë,"-shprehet një nënë me dy fëmijë.

"Është pak shqetësuese se nuk duhet të ketë. Fasha e orarit duket të jetë pak më e gjatë,"-shprehet një zonjë në parkun e liqenit.

Në hyrje të parkut ndodhen vetëm dy efektivë të policisë, por në brendësi të tij nuk ka.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anna: 26/04/2020 15:48

    Nje rekomandim per vendim marresitper lejen e daljes per kategori te ndryshme te popullsise, ashtui pensionistet dhe nenat me femije deri 10 vjeç te caktohet nje fashe orari edhe per zonj at e tjera qe nuk perfshihen ne kete kadegori. Ju lutem merrenI ne konsiderate. Faleminderit

    Përgjigju
  • He mo ramsi: 26/04/2020 13:56

    A e shikon ka kallaballeku te liqeni ? Ca kuptimi ka te rrim brenda gjith javen kur ne fundjav jan te gjith si mizat kok me kok

    Përgjigju
  • Alb: 26/04/2020 13:25

    Na rroft karantina ne te tjereve e bem cooa virusin

    Përgjigju
  • Aqifi: 26/04/2020 11:28

    Po baballarët i ka pjell mushka normalisht.Ktu spo mban me uji pilafi

    Përgjigju
  • Qytetari: 26/04/2020 10:59

    Ne durres dalin makinat pa kuptim fare.. O ti nxjerrim te gjithe o asnjeri..

    Përgjigju
  • jani: 26/04/2020 10:34

    token e moren falas, po flas per ate toke qw stergjyshi im beri 40 vjet kurbet, tashti cfar kerkojne keta agallaret? duan dhe lek per ta punuar, hormone per ti hedhur dhe ta hame neve. fshatari fshatar ngelet .

    Përgjigju
    • Rimi: 26/04/2020 13:05

      Edhe ari si puna jote ar ngelet.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?