E diela nis me reshje intensive shiu! Përfaqësuesja e IGJEUM: Ja 5 qarqet që do të kenë rrëshqitje dherash! Temperaturat do të jenë të larta

25 Shkurt 2023, 16:56| Përditesimi: 25 Shkurt 2023, 17:08

  • Share

Pas ditëve të ngrohta plot diell, e diela do të përfshihet nga reshje intensive shiu në 5 qarqe të vendit. Pavarësisht motit të keq, temperaturat do të jenë të larta. Përfaqësuesja e IGJEUM, Anira Gjoni foli në Report Tv për gazetarin Nertil Agalliu duke thënë se reshjet e shiut do të sjellin rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara.

“Gjatë ditës së nesërme, do të ketë reshje me intensitet të lartë që do të jenë më të përqendruara në veri dhe jug të territorit. Kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër. Reshjet do të jenë të niveleve intensive dhe me vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malor që do të shoqërohen me rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane mund të shfaqen problematika me përmbytje të lokalizuara, kjo në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Qarqet do të jenë të shoqëruara dhe me shtrëngata dhe presim që nivelin më të lartë ta kemi nesër gjatë pasdites deri të hënën në mesditë. Qarqet si Dibra, Durrësit, Elbasani, Fieri, Tirana, Berati dhe Korça mbeten në nivele mesatare të reshjeve”, tha Gjoni.

Moti do të përmirësohet nga e marta, por do të shoqërohet me rënie temperaturash pasi do të ketë reshje dëbore në zonat malore. Gjoni u shpreh se pritet që fillimi i marsit të jetë i freskët por konsiderohet normale për stinën që ndodhemi.

“Edhe ditën e hënë do të ketë reshje me këto intensitete dhe pasditja do të jetë me reshje të dobëta. E marta dhe në vijim do të ketë reshje të dobëta me alternime kthjellimesh që do të vijojnë deri të premten.

Gjatë këtyre ditëve, pavarësisht reshjeve, temperaturat do të jenë të larta. Nesër do të ketë ngritje të temperaturave. Zonat malore, të martën e të mërkurën do të shoqërohen dhe me reshje dëbore, kjo mund të shkaktojë pak edhe rënie të temperaturave por janë normale për stinën ku ndodhemi, është fundi i dimrit, fillimi i pranverës, presim të kemi një mars të freskët.

Nuk kemi lajmërim për përmbytje thjesht vërshime të shpejta që krijojnë kryesisht rrëshqitje të dherave”, tha Gjoni.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?