Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një deklaratë të fortë kundër udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duke e akuzuar për “gënjeshtra të hapura” lidhur me përfundimin e luftës me Izraelin dhe duke zbuluar se, në momentet e fundit të konfliktit, ai kishte ndërhyrë personalisht për të shmangur një sulm të madh ajror drejt Teheranit, me qëllim eliminimin e kreut të regjimit iranian.
“Nuk e kuptoj pse i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’ do të thoshte kaq hapur dhe budallallëk se e fitoi luftën, kur e di se është një gënjeshtër. Vendi i tij u shkatërrua, tre nga centralet e tij bërthamorë u shkatërruan. E dija saktësisht se ku ishte strehuar, dhe vendosa që as Izraeli, as forcat e armatosura amerikane – më të fuqishmet në botë – të mos e eliminonin,” shkruan Trump.
Trump pretendon se Khamenei i ka shpëtuar “një vdekjeje shumë të shëmtuar dhe të turpshme” dhe shprehet se nuk priste as ndonjë falënderim, por të paktën respekt.
“Në aktin e fundit të luftës, kërkova që Izraeli të sillte një grup të madh aeroplanësh drejt Teheranit – ndoshta për eliminimin përfundimtar,” zbulon ai, duke shtuar se ky do të kishte qenë “sulmi më i madh i luftës, pa asnjë dyshim”.
Sipas presidentit amerikan, gjatë ditëve të fundit të konfliktit ai kishte filluar të punonte për mundësinë e heqjes së disa sanksioneve ndaj Iranit, si një hap drejt rimëkëmbjes ekonomike të vendit.
“Po punoja për heqjen e mundshme të sanksioneve dhe gjërave të tjera, që do t’i jepnin Iranit një shans të ri – por, përkundrazi, mora një deklaratë plot urrejtje dhe armiqësi. Hoqa dorë menjëherë nga gjithçka”, tha Trump.
Në deklaratën e tij, Trump kritikon edhe gjendjen aktuale të Iranit, duke përshkruar vendin si një “territor të djegur, të shkatërruar, pa të ardhme”. Ai i bën thirrje udhëheqjes iraniane të ndryshojë sjelljen e saj ndërkombëtare: “Irani duhet të kthehet në rrjedhën e Rendit Botëror, ose gjërat do të përkeqësohen edhe më shumë. Ata janë gjithmonë të zemëruar dhe të pakënaqur – dhe kjo sjell vetëm shkatërrim”.
Komente
