Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

E djathta ekstreme, Kosova dhe opozita Berisha e opozitës Basha

19 Tetor 2021, 20:22| Përditesimi: 19 Tetor 2021, 20:25

  • Share

Kur pak ditë më parë, ish-kryetari i PD-së dhe tashmë mëtuesi për ta rimarrë atë shpalosi kahun e ri ideologjik të partisë kryesore opozitare shumëkush u habit. Nëse mund ta quajmë të realizuar tashmë fushatën e nisur me “Foltoren” dhe retorikën e Berishës duket sikur dihatja e të Djathtës Ekstreme po i afrohet disi Shqipërisë. Pra, PD-ja nga e Djathta e Qendrës, ku aderon prej vetë Berishës në organizimin e partive simotra evropiane po zhvendoset ideologjikisht drejt ekstremit, të paktën nga mënyra sesi do ta orientojë po Berisha. Për ta bërë më të besueshëm, ish-kryetari përmendi kalimin fillimisht drejt konservatorëve me parimet e pronës, qytetarin, familjen, mbështetjen e të përndjekurve, si pilastrat e reja të formacionit, që mëton ta ketë fill pas Kuvendit me retorikën e cila në praktikë po i qaset më së shumti të Djathtëve ekstremë. Por nga e thëna në të bërë qëndron një mal i tërë, kryesisht për shkak të statutit të PD-së, i cili nuk i lë shumë mundësi pretendimit të “Foltores”. Ndaj, askush se di sesi do të bëhet. Anipse Kuvendi i PD-së prej tani ka hyrë në tregun e parashikimeve falë shumë prej prononcimeve të njerëzve lidhur me të: Qysh nga ikja, shporrja e Bashës, Berisha kryetar, përçarja, krijimi i një partie të re, dështimi etj. A do të dalë paskëtaj PD-ja realisht më e fortë apo thjesht e përçarë ?! Gjasat janë të ketë një përçarje më të madhe, më e mundshme dy parti, pasi për fatin e tij Basha drejton Grupin parlamentar të PD-së me një numër bajagi të mirë deputetësh, ka PD-në zyrtare, të paktën edhe për katër vjet edhe nëse… e shkarkojnë. Berisha ka një qasje më të mirë tashmë në bazë, ndërkohë që ndihet dhe nga shumë të pakënaqurit se tek e fundit është ende dhe veç në opozitë të opozitës. A do mund të mbaj për katër vjet Berisha dhe mëtuesit e tjerë këtë ritëm opozite në bllok të opozitës?  PD-ja mund të hapi tashmë frymën e fraksioneve (premtimi berishian), në mënyrë që idetë për ideologjinë e partisë dhe të ardhmen e saj të jenë shumë institucionale dhe t’i japin fund si mefshtësisë humbëse të z. Basha, ashtu dhe agresivitetit të z.Berisha me një rol bajagi të mirë për këtë gjendje. Veçse deri më tani nuk ka funksionuar. Fryma e re përcjellë nga Berisha me “Foltoret” e tij dhe që i afrohet shpesh të Djathtës Ekstreme nuk mund të vendoset nga një njeri dhe ca më shumë nga një turmë, që për inat të Bashës është gati të djegë gjithçka. Kjo s’është më fryma e PD-së apo lloji i ndikimit, i cili përcillet nga familja e partive të Djathta por një luftë pa sens për privilegjet e Berishës, maskuar me parimet. Si provë për këtë të fundit: Berishës jo pak herë ia kanë përplasur militantët kurajozë përballë fytyrës deri aty mbi Foltore. Sa i përket thirrjeve ekstreme s’është hera e parë që Berisha bën ngacmime të këtij lloji. Gati pesë vite më parë, ish-kryeministri do bënte thirrje për armatosje, kundër asaj që ai e quante regjimi i Ramës. Nuk po përmendim sloganet e protestave që kulmuan më vonë deri me molotov. Veçse do ishte vetë Berisha që do të kuptonte se ishte e tepruar e asokohe media do zbulonte se: ishte po ai vetë që i kërkoi grupit parlamentar të PD-së mos implikoheshin në propozimin për armatosjen e qytetarëve nëpërmjet ligjit. Kjo kauzë e cila mund t’i shkonte për shtat partive të Djathta Ekstreme dhe jo atyre të Qendrës së Djathtë siç është sot PD-ja shqiptare, kërciste jo pak në veshët e asaj kohe.

Sa i përket frymës konservatore, paçka se në legjislaturën e fundit e kishim një eksponent që e përfaqësonte de jure Partinë Konservatore, por që nuk mund ta bënte ose të përhapte prej kufizimeve si duhet ide konservatore, përveç një opozite konfuze; grupimi afër PD-së me Imamin, Kullurin etj., treguan me maturi një qasje të tillë ideore, por kurrsesi frymën e të Djathtës Ekstreme. Po pse duhet të frikësohemi prej tyre. Disidenti çek e shihte ndryshe: “Unë jam i bindur se mund t’i përballojmë më së miri duke i studiuar pa paragjykime, duke mësuar prej tyre dhe duke u rezistuar edhe duke qenë kështu rrënjësisht të ndryshëm me një ndryshim të lindur nga një luftë e vazhdueshme kundër së keqes që ata mund të mishërojnë më qartë, por që banon kudo dhe kështu gjithnjë edhe brenda secilit prej nesh”, shkruan Vaclav Havel tek ‘Anti-political politics’.

Partitë politike të Djathta, paçka vendit që zënë në spektër, janë nën ombrellën e një ideologjie dhe autoriteti, e cila e llogarit mirëfilli si të qenësishëm pabarazinë shoqërore. Madje edhe teza e oligarkëve, që e kanë për zemër eksponentët e PD-së, bie kur mendon se pranohet ky lloj autoriteti mbi çdo gjë.

Parimet mirëfilli konservatore që shpalos ndonjëherë Berisha apo qoftë edhe gjuha e të Djathtës ekstreme e cila po mundohet t’i japë një identitet të paqenë PD-së nuk e ndryshon dot faktin se në thelb formacioni drejtuar prej tij nuk arriti të jetë asnjëherë i Djathtë. Teksa kjo forcë e shumë-dëshiruar ju vu përpara strukturës së një shteti totalitar, që e varfëroi shqiptarin në skaj dhe e uli në shumë parametra dinjiteti, në ag të viteve ’90, PD-ja u rrit duke mbledhur në një front: të varfër, të përndjekur, të poshtëruar, shumë kameleonë, struktura ku mungonte vetëdija e shtresëzimeve shoqërore, pronës dhe shumë elementëve të tjerë. Me kohë, kjo forcë zhvendosi arbitrarisht shumë njerëz të cilët mund të bënin ndryshime, ndaj shumë herë partia iu kthye elementëve të Ekstremes, edhe pse nuk zuri vend tek ne. Tollovitjet ideologjike të PD-së dhe këto kalime të jashtëzakonshme e kthyen formacionin politik në një mekanizëm thjesht për të marrë vota duke u mbështetur mbi një front kinse anti-komunist.

Dhe Kosova

Por a mund të shqetësohemi nga kjo prirje e re, që shpalos ish-kryetari i PD-së? Momentalisht jo, pasi ajo nuk ka formë tek ne. E Djathta Ekstreme u ngjall shumë në kohë pandemie në Evropë dhe kohët e fundit kulmoi në Itali kundër futjes së “pasaportës së vaksinimit”, teksa militantë të së Djathtës Ekstreme arritën e shpërthyen selinë e CGIL, sindikatën tradicionalisht të Majtë. Protagonist ishte kreu i partisë së Ekstremit të Djathtë “Forza Nuova”, Roberto Fiore që u arrestua me këtë rast sëbashku me njëmbëdhjetë militantë të tjerë. Por ajo që na intereson është se ky personazh, kryetari i organizatës transnacionale të Ekstremit të Djathtë në kongresin e Aleancës për Paqen dhe Lirinë zhvilluar në Beograd dhe organizuar nga Misa Vaqiç, lidere e partisë ultranacionaliste serbe, “Srpska Desnica” mori mbështetje nga italianët se: Serbia nuk është e vetme në luftën e saj kundër “fuqisë së rreme të Kosovës” dhe se e gjithë Evropa nacionaliste e mbështeste këtë gjë, do e citonte Klankosova.tv. Dhe nuk mbaron këtu, pasi Aleanca për Paqen dhe Lirinë e vuri si vend-organizimi Kosovën në planet e saj të organizimit me një aktivitet në javët në vazhdim.

A mund ta ngacmojë Shqipërinë i gjithë ky lloj organizmi? Për sa kohë e drejton Berisha, jo, pasi ai më shumë ideologjinë e përdor për interesa sesa për drejtimin e fizionomisë së partisë. Dhe, më shumë akoma, sido që të ndodhë, duhet që e Djathta e kësaj natyre të ketë pushtet dhe një qeveri autoritare. “Hulumtimet tregojnë se në nivel global, e Djathta Ekstreme kërkon një qeveri populiste autoritare. Ky është një hap drastik larg qeverive tradicionale konservatore në të Djathtë të spektrit politik. Qeveritë populiste të krahut të Djathtë shpesh e shohin veten si një alternativë ndaj elitizmit politik që e imagjinojnë se banon qoftë në të Djathtë ashtu edhe në të Majtë. Sidoqoftë, e dallojnë veten duke ofruar zgjidhje të thjeshtuara dhe shpesh përçarëse për problemet sociale siç është pabarazia në të ardhura”, shkruan studiuesja Laura Hood tek “With far right groups on the rise, we should keep an eye on populism this federal election” (Me grupet në rritje të së Djathtës Ekstreme, duhet t’i kushtojmë vëmendje populizmit në këto zgjedhje federale”).

Ndërkohë Lufta e Berishës nuk është realisht për të sjellë në fuqi të Djathtën Ekstreme, por për të sjellë kaosin në vend, pa sjellë asnjë alternativë se cili do të zëvendësojë Bashën dhe mbi të gjithë largimin e vëmendjes prej ngërçit të vet. Nuk thotë dot sesi mund të ndryshojë një parti; si PD-ja, ku njerëzit e saj janë të zgjedhur në parlament t’i relativizojë në padobi; si të motivojë për pushtet masën e cila qëndron prej vitesh në pritje të ndryshimeve. Dhe, mbi të gjitha: opozita e tij ndaj PD-së së Bashës kësaj opozite apatike aktuale është një humbje energjie, të cilën do e vuajnë ashtu si po e vuajnë njerëzit e PD-së, por jo Rama, që po ngroh duart në këtë flakë inati të këtij formacioni politik.

Po, më tej dhe për fat larg nesh: e Djathta Ekstreme serbe në aleancë me atë italiane, sot për sot nuk mund as të gërvishin autoritetin e shtetit të Kosovës, paçka kaosit dhe kërcënimeve të tyre boshe. Berisha, që e di dhe e njeh mirë Kosovën dhe që e përdor shpesh duke dashur kreditë të pamerituara, duhet ta njohë mirë qoftë dhe këtë realitet, kur e përdor qoftë dhe si retorikë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?