George Simion

Bota

Zgjedhjet në Rumani/ Sovranisti George Simion kryeson me 40%, kandidatët pro-BE shpresojnë për balotazh

5 Maj, 08:29| Përditesimi: 5 Maj, 08:37

  • Share

Rumania konfirmon pozicionin e saj në udhëkryqin mes sovranitetit dhe Evropës në zgjedhjet për presidentin e ri, ndërkohë që fronti nacionalist po forcohet. Me numërimin e votave pothuajse të përfunduara, kandidati i ekstremit të djathtë George Simion po rezulton edhe më mirë se sa kishin parashikuar sondazhet: ai pritet të fitojë raundin e parë me mbi 40% të votave. Një triumf. “Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nga këtu dhe kudo, së bashku kemi shkruar historinë sot,” u shpreh i entuziazmuar lideri i partisë AUR në një video të shpërndarë në rrjetet sociale.

Gara për të parë se kush do të sfidojë Simionin në balotazh ishte shumë e ngushtë: kandidati i pavarur Crin Antonescu, i mbështetur nga koalicioni qeverisës, e mbajti epërsinë për pjesën më të madhe të numërimit, por në fund u tejkalua lehtë nga kandidati tjetër pro-evropian, kryebashkiaku i Bukureshtit Nicușor Dan, i cili siguroi 20.7% të votave. Ai shpreson të përfitojë më shumë nga votat e rumunëve që jetojnë jashtë vendit – një grup ku ai ka mbështetje të fortë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara – ndërsa në Itali, Spanjë dhe Gjermani, tre nga katër votues votuan për Simionin, me 66% të votave të numëruara deri tani. Numërimi i votave të diasporës po ecën më ngadalë. Në vend të katërt, me një diferencë të ndjeshme, u rendit një tjetër sovranist, Victor Ponta, me pak mbi 13% të votave.

Pavarësisht klimës së përgjithshme të mosbesimit dhe polemikave që pasuan anulimin tronditës të zgjedhjeve të nëntorit nga Gjykata Kushtetuese – për shkak të dyshimeve për ndërhyrje ruse – pjesëmarrja u rrit: arriti në 53.2%, pak më shumë se një pikë krahasuar me pesë muaj më parë.

“Po i afrohemi një rezultati të jashtëzakonshëm, shumë më përtej se ç’na paraqesin kanalet televizive të sistemit,” tha Simion në një tjetër video të filmuar nga zyra e tij dhe të publikuar në rrjetet sociale. Urimet nga Matteo Salvini mbërritën menjëherë në platformën X: “Në Rumani njerëzit më në fund votuan lirshëm. Me gjithë respektin për "zotërinjtë" e Brukselit dhe truket e tyre të pista.”

Simioni e ka trefishuar mbështetjen e tij krahasuar me raundin e parë të nëntorit – tashmë të anuluar – kur kishte marrë vetëm 13% të votave dhe ishte renditur i katërti. Prezantimi i vetes si “trashëgimtar” i Georgescu-t i ka shërbyer shumë. Nëse votat e tij i shtohen edhe atyre të Pontës, fronti sovranist do të arrinte një mbështetje prej rreth 54%. Megjithatë, duke lënë mënjanë matematikën, anketuesit nuk e shohin rezultatin e balotazhit – i planifikuar për dy javë nga tani – si të paracaktuar. Atlas Intel, institucioni që dha parashikimin më të saktë për fitoren e Trump, parashikon se Simion nuk do të fitojë nëse përballet me Antonescun në raundin e dytë, ndërsa do të kishte më shumë gjasa të dalë mirë kundër Dan.

Zgjedhjet u shoqëruan nga një sulm masiv kibernetik, që rrëzoi për dy orë faqet kryesore të internetit të qeverisë dhe ato të dy kandidatëve pro-evropianë, ndërsa llogaritë e Simionit dhe Georgescu-t mbetën të paprekura. Autoritetet rumune fillimisht mohuan çdo ndërhyrje, por pasdite e pranuan se faqet ishin sulmuar përmes aplikacionit Telegram nga grupi rus i hakerëve Noname057.

Përçmimi ndaj institucioneve u shpreh edhe përmes provokimeve të Simionit, i cili u paraqit në qendrën e votimit bashkë me Georgescu-n – që deklaroi se kishte votuar për të – për të rikujtuar “zgjedhjet e vjedhura”. Edhe Diana Șoșoacă, udhëheqëse e partisë ekstremiste të djathtë Sos Romania dhe anëtare e Parlamentit Evropian, u shfaq me një kartolinë me vizatime të dorës të Nicolae Ceaușescu-t dhe udhëheqësit legjionar fashist Corneliu Codreanu.

“Elena Calistru nga organizata Funky Citizen, që monitoron procesin zgjedhor, deklaroi për Corriere della Sera: “Kemi identifikuar disa narrativa dezinformuese që synojnë infrastrukturën zgjedhore dhe besimin e votuesve”. Ditët e fundit kanë qarkulluar lajme të rreme për ndërprerje të mundshme të energjisë gjatë votimeve, që sipas tyre do të çonin në pavlefshmëri të rezultatit. Këto taktika shfrytëzojnë mjeshtërisht shqetësimet legjitime ekonomike – si deficiti më i lartë në BE, rritja e borxhit publik dhe inflacioni i lartë në Rumani./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata drejt fundit, a ju kanë bindur partitë që të votoni më 11 maj?