Gruaja 31-vjeçare e cila u dogj me benzinë nga bashkëshorti në proces divorci, ndodhet në spitalin e djegie-plastikës në QSUT, prej 31 gushtit kur ndodhi ngjarja e rëndë në Korçë. Sipas burimeve, ajo është në gjendje të mirë shëndetësore, koshiente dhe duke u rikuperuar nga djegiet, një proces që gjithsesi do të kërkojë kohë, pasi Melisa Trëndafili ka plagë të thella në gjymtyrë.
Bashkëshorti i saj Bledar Trëndafili është ende në arrati. Pasditen e së shtunës, për motive xhelozie, 45-vjeçari i kërkoi gruas të dalë nga banesa ku jeton me qira me 2 fëmijët, i hodhi benzinë në trup dhe i vuri flakën. Ndihmën e parë, gruas së re ia dhanë fqinjët.
Gruaja nuk kishte urdhër mbrojtje, dhe deri tani nuk ka pasur denoncime për dhunë në familje, megjithatë hetimet do të zbardhin përse burri tentoi të vrasë gruan me të cilën po ndahet.