Detaje të reja kanë dalë nga mbytja e fëmijës shqiptar 7 vjeçar në Kretë të Greqisë.
Sipas mediave greke, fëmija i ishte shmangur vëmendjes së nënës së tij dhe kishte shkuar për të notuar me një mik në zonën e Arvit.
Fatkeqësisht 7 -vjeçari është marrë nga dallgët dhe për pasojë ka humbur ndjenjat, ndërsa më pas është gjetur në portin afër vendbanimit nga kalimtarët.
Nëna e tij pak muaj më parë solli në jetë fëmijën e dytë të familjes dhe në momentin që ndodhi tragjedia ajo ishte në shtëpi me foshnjën, ndërsa babai në punë.
Nikolla i vogël ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte me prindërit e tij vitet e fundit në Arvi.
Kryebashkiaku i Viannos, Pavlos Baritakis, tha se ai ishte një fëmijë që e donte shumë detin, ndërsa theksoi se ky plazh nuk ka roje shpëtimi.
“Fëmija e donte shumë detin dhe i shpëtoi vëmendjes së prindërve, si pasojë e të cilit humbi jetën. Nuk ka një roje shpëtimi”, tha ai.
Ndërsa, një banor i zonës që ka parë fëmijën duke notuar në ujë pa jetë, thotë se menjëherë ka ngritur alarmin.
“Nuk frynte erë, por kishte valë, deti është shumë i rrezikshëm, sepse ka rryma. Rryma e solli në port, por kur kishte humbur ndjenjat. Kishte një puls të lehtë, nuk merrte frymë. Nuk kishte njeri në plazh që ta shihte fëmijën”, tha banori.
Lajmi kryesor:
Tragjedi në Kretë, 7-vjeçari shqiptar mbytet teksa lahej në det! Dëshmitë: S’kishte roje plazhi
S.B//ReportTv.al