E drejta e Autorit/Ministrja kërkon një kryetar për SUADA-n, artistët: Shkrijeni

28 Tetor 2020, 16:03| Përditesimi: 28 Tetor 2020, 16:19

  • Share

Në dëgjesën publike të organizuar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, në Muzeun Historik Kombëtar, për ndryshimet që duhet bërë në ligjin “E të drejtave të autorit” për më shumë transparencë edhe për zëvendësimin e kryetarit të SUADA-s (sportelit unik që mbledh të ardhurat nga subjektet përdoruese të veprave), anëtarët e Forumit për Mbrojtjen Audiovizuale të Autorit, kërkojnë shkrirjen e SUADA-s dhe rishikimin e tarifave me ligj.

 “Ndërhyrjet në ligj po i shfrytëzojmë për të bërë ato përmirësime, që kanë lind si nevoja në këto katër vite, që shumëkush prej jush është në dijeni edhe i ka hasur gjatë punës së tij. Më së shumti problematikat lidhen me funksionimin e agjencive të administrimit kolektiv, roli i të cilave është themelor për zbatimin e të drejtave të autorit. Për këtë propozojmë që të ndryshohen ose të saktësohen dispozitat që lidhen me përfaqësimin e të drejtave të administrimit kolektiv, shmangien e konfliktit të interesit edhe mënyrën e shpërndarjes së të ardhurave”, shprehet Margariti.

“Gjatë tre vjetëve SUADA ka bërë çka dashur, në vend ta rregullonte situatën e bëri paçavure. Unë them që SUADA të mos të ekzistojë fare. Çdo njeri që ka kryesuar tek SUADA e quante veten pronarë. Ne (FMAA) në dy vite nga 200 mln lekë që merrte SUADA, na dhanë 8 mln lekë të vjetra që ne i refuzuam. Më mirë mos të ekzistojë SUADA, pasi ne ishim shumë mirë kur mblidhnim lekët vet. SUADA është mbivendosje për të punësuar njerëz në kurriz të artistëve", thotë Saimir Kumbaro, kreu i FMMA.

Një tjetër kërkesë e artistëve është që prodhimet kinematografike të para ’90-s, të mos jenë nën administrim të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

“Për filmat e para "90 do të gjendet një mënyrë që do ta diskutojmë bashkërisht. Për të mbledh të ardhurat audiovizuale, që do të korrigjohen nga dy ligje, i të drejtës së Autorit dhe i Kinematografisë. Nëse ju s’jeni paguar nga ligji i të drejtës se autorit, kjo më ka rënduar dhe mua mbi kurriz. Prandaj duhet të bëjmë propozime që të bëjmë korrigjimin e këtyre”, shprehet Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

 “Kam qenë kryetar i FMAA prej tetë vitesh dhe kam dhënë dorëheqjen. Unë mendoj që problemi i mosfunksionimit të SUADA-s duhet të marrë fund. Njerëzit qe e kanë drejtuar duhet të dalin para gjyqit. Sekretarja e Ministrisë së Kulturës, Elira Kokona, s’është konsultuar fare me kineastët për ligjin. Ligji s’ka asnjë paragraf që flet për filmin. Filmi nuk është njësoj me veprën audiovizuale. Defekt që e kemi thënë dhe para komisionit për Medien, ku nuk u bë asnjë korrigjim, por u kalua një minutë e më parë. Pa përmendur raportin e tarifave, që është skandaloz. Pas aprovimit të ligjit SUADA hyri në skenë pa një platformë të qartë, duhet të ishin bërë marrëveshje me AMA-n. Unë kam qenë kundër krijimit të saj”, shprehet kineasti Esat Musliu.

 “Shikoj se jeni vetëm në ngatërresa dhe më vjen keq. Problemi është që kanë qenë tre shoqata, ato të ndjekin punën. SUADA vetëm banalizime ka. Unë mendoj, se duhet që të mbetemi tek shoqatat që kanë qenë deri më sot. Ju mund të bëni çfarë të doni, do vij tjetri që ta heq. Në tagrin e MK është që mos të jap kot licencë”, shprehet Kapexhiu.

 “Shkrijeni SUADA-n, nuk ju kushton asgjë. Ne ju kemi xhan, po ju na keni xhan ne. Ju lutem si ministri bëni auditin e shoqatave, sa kanë marrë krijuesit nga autorët, sa kanë marrë drejtorët nga hajnat, që edhe në të jemi të qetë. Mua më vjen keq, që Tish Dahija, Tonin Arapi, Agim Prodani nuk marrin asnjë qindarkë. MK mund të sigurojë një fond për të siguruar kontrollin e transmetimeve. MK ka detyrë në qeveri që të mbështet shpërndarjen e drejtë dhe të saktë të vlerave që kanë pronat intelektuale edhe të drejtën e Albautorit. Na takoni dhe flisni më shpesh. Sillni juristët, që ta kuptojnë njëherë ata. Se s’mund të më gjykojë mua një njeri që s’ka bërë një këngë”.

Sporteli unik SUADA mbledh të ardhurat nga subjektet përdoruese të veprave. Pas dorëheqjes së Elir Putos, SUADA prej disa muajsh është pa kryetar. Dëgjesa e radhës e Ministrisë së Kulturës në kuadër të ndryshimeve ligjore për të drejtën e autorit do të bëhen me interpretuesit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?