‘E drejta t'u harruar', komisioneri Dervishi në Report Tv: Një qytetar do t’i kërkojë medias fshirjen e emrit

14 Korrik 2022, 19:29| Përditesimi: 14 Korrik 2022, 20:49

  • Share

Qeveria shqiptare ka propozuar disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, me qëllim për të forcuar më shumë mekanizmat mbrojtjes së qyetarëve, por edhe për të dënuar shkelësit.

Për të folur rreth këtyre risive që parashikon projektligji, i ftuar në emisionin “Studio Live”  në Report Tv  me gazetarin Arbër Hitaj ishte Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.

Sipas komisionerit Dervishi, risia më e rëndësishme e ligjit është përshtatja me zhvillimin e teknologjisë.

“Parimet  dhe kriteret janë të njëjta, përveç disa përshtatjeve nga ana e teknologjisë. Risitë janë 6 pika kryesore. Ka disa përsosje të legjislacioni. E drejta e një personi për të marrë të dhënat nga një kontrollues publik, p.r.sh, KQZ-ja ose nga një kontrollues privat si p.r.sh. nga një bankë e nivelit të dytë. E  dyta është rritja e nivelit të transparencës. Për shembull kur shkojmë në një bankë të niveli të dytë dhe na kërkojë kartën e identitet për ta fotokopjuar ne kemi  të drejtë të pyesim se përse ajo i duhet. Kjo është një rritje e nivelit të informimit. Risi tjetër është dhe masa e ndëshkimit në rastin e shkeljes. Gjoba shkon deri në 2 miliardë lekë për shkelësit ‘, u shpreh Komisioneri Dervishi.

Dervishi shprehet se të gjithë qytetarët  kanë të drejtë të pyesin subjektin se si i ka siguruar të dhënat e tij personale.

"Qytetari ka të drejtë të pyesë te subjekti mënyrën se si i ka  siguruar të dhënat personale. Që në momentin e parë që qytetari konstaton marrjen je të dhënave personale duhet që  të kontaktojë me kontrollorin te cilët kanë të detyrimin që brenda 30  ditëve kthejnë përgjigje, përndryshe duhet t’i drejtohen Komisionerit, i cili në rast  ka shkelje ai do të vendos sanksione, e cila ka të bëj deri të fshirja e të dhënave nga  subjekti. Është pozitive që njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen lidhur me të dhënat e tyre personale dhe të tregohen kujdesshëm se ku i vendosin të dhënat e tyre.", tha ai. 

Lidhur me një çështje që prek dhe mediat, në listën e risive që përcakton projekt-ligji është “e drejta për t’u harruar”. Kjo i jep të drejtën një personi që të kërkojë të fshihet nga motorët e kërkimit në internet një e dhënë nëse dëshiron, apo nëse informacioni ka ndikim negativ për të.

Sipas Komisionerit Dervishi, një person ka të drejtën e tij t’i kërkojë medias fshirjen e një informacioni nëse dëshiron që mos të jetë më pjesë e motorëve të kërkimit. Kjo nuk lidhet me kufizimin e të drjetës për informim, por një e drejtë e qytetarit për të kërkuar heqjen e një të dhëne të caktuar, por kjo gjithmonë varet se sa relevante është.

Media, sikurse dhe subjektet e tjera, paraprakisht bënë një vlerësim dhe duhet të informojë qytetarin nëse e dhëna do të hiqet ose jo, më tej qytetari mund t'i drejtohet Komisionerit, në rast se ai mendon se e drejta i është shkelur.

“Pika 6 nuk prek median, është një e drejtë që kanë njerëzit. Qytetari ka të drejtë t’i kërkojë një faqe online heqjen e  informacionit personal. Nëse informacioni është  relevant ose jo, subjekti i faqes vlerëson informacionin, po në çdo rast duhet të informojë qytetarin . Nëse qytetari nuk është i kënaqur me të ai mund të ankohet te Komisioneri. Këtu nuk diskutohet vërtetësi e lajmit. Lajmi  mund të hiqet nga arkivi në kuadër ‘Të drejtës për t'u harruar’. Sipas Gjykatës Evropian të të Drejtave të Njeriut, vlerësimi është rast pas rasti dhe në mënyrë proporcionale. Sa më lartë të jesh në një pozicion publik aq më pak i mbrojtur je. Për shembull, nëse për një politikan, për një fakt korrupsioni, informacioni mbetet relevant. Media ka një rregullim të posaçëm  lidhur me të drejtën për informim. Bëhet një vlerësim i parë, në këtë rast bëhet nga vetë media, në nivelin e dytë bëhet një vlerësim nga ana e Komsionerit. Vendimarrja e Komisionerit më tej nënshtrohet juridiksioni gjyqësor. Nëse keni një vendim gjyqësor të formës së prerë,  që ju detyron ta rregulloni ose ta fshini nga motorët e kërkimit do të jeni të detyruar ta zbatoni.”, u shpreh komisoneri.

Kliko këtu për të parë PROJEKTLIGJIN

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?