Politikë

E dyta në listën e PD në Shkodër, Emilia Koliqi për Report Tv: Kandidimi ishte surprizë! Rama politikë diskriminuese ndaj shkodranëve (VIDEO)

2 Prill 2021, 11:01| Përditesimi: 2 Prill 2021, 11:51

  • Share

Nënkryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Emilia Koliqi renditet e dyta në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në këtë qark. Në një intervistë për Report Tv ajo tha se vendimi i kryesisë së PD-së, ka qenë surprizë edhe për të. Koliqi shprehet se fokusi do të jetë tek rimëkëmbja e ekonomisë, nëse zgjedhjet e fiton PD. Ndër të tjera hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama, pasi sipas saj, ka ndjekur politika diskriminuese ndaj bashkisë së Shkodrës. Në intervistën për Report Tv ajo tregon me krenari edhe lidhjen me kardinalin e parë shqiptar, si mbesa e tij Mikel Koliqit.

Zonja Koliqi, si e keni pritur ftesën e Partisë Demokratike për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës?

Në radhë të parë, faleminderit për intervistën. Dua të sqaroj që PD-ja në vitin 2020 filloi një procedurë të re, një risi, në përzgjedhjen e kandidaturave për përfaqësim politik. Unë kam qenë një nga personat në listën e përzgjedhur nga anëtarësia dhe jam votuar nga anëtarësia. Në vijim, me miratimin e kryesisë së PD-së dhe të këshillit kombëtar, unë jam caktuar në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së dhe të Aleancës për Ndryshim për qarkun e Shkodrës.

E keni pritur një vendim të tillë, për të qenë në zonën e sigurt?

Nuk e kam pritur, të them të drejtën. Ishte një surprizë për mua, por ndihem shumë e vlerësuar dhe për më tepër, ndiej një përgjegjësi shumë të madhe në drejtim të gjithë bashkëqytetarëve të mi shkodranë për këtë detyrë që më është besuar.

Cili ka qenë komunikimi i parë me kryetarin e PD-së, zotin Basha pasi jeni njohur me listën?

Ishim në Durrës, në momentin kur u paraqit programi për gratë. Atje kam qenë e ftuar krahas me shumë gra të tjera, të cilat ishin përfaqësuese ose ndër vendet e para të listës për deputetë të të gjitha qarqeve të Shqipërisë. Aty ka qenë edhe takimi i parë që kam pasur me kryetarin Basha.

Duke iu referuar eksperiencës suaj në drejtimin e Bashkisë së Shkodrës, cilat janë problemet me të cilat përballet Shkodra sot? Sa do të arrijë që nga programi i PD-së dhe nga vizioni juaj në parlamentin shqiptar, kjo mungesë e investimeve nga ana e qeverisë do të jetë ndryshe në qasjen me PD-në?

Problemi më i madh i Shqipërisë sot është problemi ekonomik. Gjndja ekonomike e të gjitha familjeve shqiptar dhe i bizneseve shqiptare është në kolaps të përgjithshëm. Të them të drejtën, këto 8 vite shqiptarët kanë ngrënë të gjitha kursimet që kanë pasur të vendosura para vitit 2013 dhe asnjëri prej tyre nuk ka arritur që të krijojë njëfarë kursimi të mëtejshëm për ditë të vështira në jetën e tij. Kjo ka ndodhur jo vetëm për familjet shqiptare dhe ato shkodrane në veçanti, por ka ndodhur edhe me biznesin. Rritja e vazhdueshme e taksave, rritja e kontributeve dhe e sigurimeve shoqërore, rritja e pagës minimale me vendim qeverie në një kohë kur nuk shoqërohet me rritjen ekonomike të biznesit, ka bërë që të ardhurat e biznesit të ulen shumë. Unë do të flas më shumë për biznesin e vogël, i cili është, si të thuash, shtylla e konakut e një ekonomie vendëse. Ky biznes ka ardhur gjithmonë duke u tkurrur, jo vetëm nga mungesa e konsumit, por edhe nga konkurrenca e pandershme, edhe nga konkurrenca e pandershme e supermarkatave, pra e oligarkëve të cilët kanë krijuar rrjete zinxhir që i kundërvihen biznesit të vogël që punon. Kjo është një politikë kundër biznesit të vogël dhe ka arritur që të mbyllen shumë dyqane që i kemi pasur afër shtëpive. Këto ditë që po dalim në terren dhe jemi duke prekur me dorë jo vetëm familjet, por edhe bizneset, unë kam vënë re dhe më ka bërë një përshtypje shumë të madhe tregu i Zdrales ditën e diel. Në një kohë që para shumë viteve tregu në ditët e diela ka pasur një fluks të madh qytetarësh, ne e kemi përcjellë komplet tregun dhe mund të shihje 3-4 qytetarë që ishin duke blerë. Mua më ka bërë një përshtypje të jashtëzakonshme kjo mungesë e konsumit, ky mosbesim që kanë njerëzit dhe aq më tepër në qoftë se do të flasim edhe për gratë, gratë kanë një tendencë gjithmonë që në qoftë se futen në një dyqan nuk dalin pa diçka prej atij dyqani, por shoh një tkurrje dhe një largësi prej dyqaneve, vetëm nga ajo që është një gjë e domosdoshme. Dhe e domosdoshme kuptohet që janë vetëm ushqimet, shporta ushqimore. Por edhe për këtë dua të them që gati 60% ose më shumë e të ardhurave të familjeve shkojnë vetëm për shportën ushqimore. Çmimet kanë ardhur gjithnjë e në rritje, duke mos u kompensuar ose duke mos u shoqëruar me rritjen e të ardhurave në familje. Prandaj problemet ekonomike janë gjëja më kryesore që shqetësojnë të gjithë popullsinë. Përveç asaj, unë do të them edhe për Shkodrën që është e lënë pasdore që prej 8 vitesh. Nuk ka asnjë investim nga qeveria. Pra, Bashkia e Shkodrës është kavardirsur vetë, me paratë e veta, duke realizuar madje në një mënyrë, duke ekonomizuar këto para dhe duke bërë ç’është e mundur për t’u vënë në shërbim të popullit, jo vetëm për shërbimet publike por edhe për infrastrukturën. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që i gjithë populli shkodran kur blen, ka paguar TVSH-në, në çdo artikull që shitet është paguar TVSH-ja. Kjo TVSH ku i ka shkuar të gjithë popullit shkodran, i cili ka kontribuar si të gjithë banorët e qyteteve të tjera të Shqipërisë? Asnjë nga këta lekë nuk i është kthyer në investime popullit shkodran. Pra kjo është një politikë që është ndjekur kundër popullit të Shkodrës përgjatë gjithë këtyre viteve. Mungesa e këtyre investimeve, e paraqet kryeministri edhe kur vjen në Shkodër, mundohet ta mbulojë me batuta, por asnjëherë duke thënë të vërtetën pse u ndoq kjo politikë ndaj popullit shkodran, gjë që nënkuptohet se gjithmonë dihen tendencat e popullit shkodran që janë djathtas.

Në këtë fushatë elektorale, kandidatët e së majtës po thonë që mandati i tretë qeverisës do të jetë për Shkodrën. Keni një koment?

Unë besoj se populli shkodran nuk është kaq naiv saqë të besojë këto gënjeshtra të vazhdueshme që po thuhen, jo vetëm në Shkodër. Kryeministri shkon edhe në Elbasan, shkon edhe në Vlorë, shkon edhe në Durrës dhe secilit prej këtyre qyteteve i thotë që ky 4-vjeçar do të jetë për qytetin tuaj. Dhe mua më duket një farsë ose një fushatë elektorale e pavërtetë dhe në një kohë të tillë ai duhet të vijë në Shkodër dhe këtë thënie që thotë se ky 4-vjeçar do të jetë për Shkodrën, d.m.th. këto 8 vite ia ka ngrënë hakun Shkodrës. Dhe ai e pranon këtë me gojën e vet. Atëherë ai duhet të vijë në Shkodër, t’i kërkojë falje qytetit të Shkodrës, banorëve të Shkodrës për këtë mungesë investimesh që u është bërë, për këtë mosbarazi në shpërndarjen e fondeve. Por unë nuk mendoj se populli shkodran mundet të besojë një gjë të tillë, e cila nuk ka ndodhur jo vetëm këtë 8-vjeçar, por sa herë që ka qenë në qeverisje PS-ja.

Kam një pyetje disi personale, referuar mbiemrit tuaj. Ndoshta për shumë veta ka ngjallur kureshtje lidhja juaj me kardinalin e parë shqiptar. Cila është lidhja juaj me këtë emër të madh?

Unë rrjedh nga familja Koliqi, një familje me tradita patriotike, intelektuale. Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi ka qenë kushëriri i babait tim, pra një i afërm i familjes. Unë ndihem krenare për të gjithë prejardhjen time dhe për të gjithë familjen time. Dua të shtoj që edhe kontributi im në fushën ekonomike, ndoshta i padhënë, rrjedh, kam ecur në gjurmët e të parëve, për të dhënë një kontribut për të mirën e vendit.

A keni një mesazh për shkodranët duke u afruar 25 prilli?

Mesazhi është që të shkojmë sa më shumë për të votuar në datën 25 prill dhe votimi të jetë për ndryshimin e Shqipërisë. Vota të jepet për PD-në dhe Aleancën për Ndryshim, si e vetmja rrugë dhe e vetmja zgjedhje për ndryshimin e madh që duhet t’i bëhet Shqipërisë. Në qoftë se ne do të shkojmë në rrugën drejt integrimit evropian, ne duhet patjetër të bëjmë ndryshimin sepse në këto 8 vite ne qëndruam në vend dhe nuk ecëm përpara drejt integrimit. Përkundrazi, neve na u vendosën 15 kushte për plotësim, gjë që ishte një pengesë e jashtëzakonshme për Shqipërinë për hapjen e negociatave për fillimin e procesit në integrimin evropian. Prandaj unë u bëj thirrje, meqenëse e ardhmja e Shqipërisë është me integrimin evropian, dhe të gjithë shqiptarët kërkojnë integrimin evropian, duhet patjetër të votojnë nr. 9, PD-në dhe Aleancën për Ndryshim, për të votuar ndryshimin për të gjithë Shqipërinë.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • karadakliu: 03/04/2021 09:42

    PS me Ramen do ia kthen krenarine Shkodres, shkodraneve e shkodraneve.Kenmi provuar me PD e keni pa kaosin,krimin dhe varferine deri ne palc,Keni perjetuar poshtrimin e vlerave shkodrane,injorimin dhe pengimin e zhvillimit mendor e fizik te hapsires shkodrane.

    Përgjigju
  • Kasem Gahinji: 02/04/2021 18:42

    Po ish shefin e sigurimit te Bazes Ushtarako Detare te Durresit e ka gje kjo zonja kandidate?Nder i madh nese po,sepse si ky dhe e shoqja kane qene ,qe ish ushtarake, militante te oreve te para te PD

    Përgjigju
  • Kasem gahinji: 02/04/2021 18:07

    Po ate shefin è sigurimit te Bates detare te durresit me mbiemrin koliqi e ke gje zonje e nderuar? Militanti i pd i oreve te para ka qene.madje deklarohej se ishte nga familja koliqi .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?