Viktima Fridman Xhaferraj

Kronikë

E ekzekutuan dhe e hodhën në rezervuar Fridman Xhaferajn, arrestohet te spitali 'Nënë Tereza' një nga autorët e dyshuar, në kërkim tjetri

16 Nëntor 2021, 15:07| Përditesimi: 17 Nëntor 2021, 11:20

  • Share

TIRANË- Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë, një nga autorët e dyshuar për vrasjen e Fridman Xhaferajt është arrestuar nga policia teksa ai ndodhej në spitalin ‘Nënë Tereza’ në kryeqytet. Autori tjetër që dyshohet se është i përfshirë në këtë ngjarje, Lulzim Spahija vijon të mbetet i shpallur në kërkim.

Burime bëjnë me dije se autori i dyshuar Kristi Bixheku, nuk ka pranuar të flasë para uniformave blu. Ai ka zgjedhur të heshtë, me justifikimin se do të flasë në një moment tjetër në prani të avokatit të tij pranë togave të zeza. Bixheku pasi u ndalua në Tiranë, u dërgua në Korçë ku dhe i janë vënën prangat.

I dyshuari tjetër (bashkëpunëtori) Lulëzim Spahija, me nofkën "Arapi" është shpallur në kërkim.

Fridman Xhaferraj u gjet i mbytur më 13 qershor të këtij viti në rezervuarin e Gjançit nga një banor i zonës. Në trupin e 25-vjeçarit ishin konstatuar shenja dhune në trup dhe në kokë, madje ai u gjet me duar të lidhura, ç’ka tregon se para vrasjes, ndaj tij është ushtruar dhunë fizike. Xhaferraj dyshohet se u vra në Korçë dhe më pas u hodh në rezervuarin, ndërsa shkak i vrasjes dyshohet të jetë prishja e pazareve të drogës. 

Fridman Xhaferraj, nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Një vit më parë bashkë me vëllanë e tij kanë kundërshtuar me dhunë patrullën e forcave Shqiponja në qytetin e Vlorës. Nga kjo ngjarje, vëllai i tij ka përfunduar në burg, ndërsa Fridmani jetonte me Pluk të Lushnjës gjatë kësaj kohe.

Në shkurt të këtij viti Fridman Xhaferraj dyshohet se ka qenë autor i djegies së tre automjeteve luksoze në një qendër tregtare në Lushnjë. Për këtë vepër pas hetimeve të policisë, ai u arrestua në datën 1 Maj ku gjykata kishte vendosur më parë masën e arrestit me burg. Në datën 21 maj gjykata e ka lehtësuar masën e arrestit në arrest në shtëpi.

Pas lehtësimit të masës, viktima kishte thyer masën e ‘arrestit në shtëpi’ kishte qëndruar tre net në një hotel së bashku me dy autorët e dyshuar për vrasjen e tij. Të tre ishin strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës, në datat 25-26 dhe 27 maj. Policia mbërriti në hotel, pasi në xhepin e pantallonave të viktimës u gjetën kartëvizitat e hotelit në fjalë, ku më pas u bë edhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?