Të enjten e madhe lyejmë një pjesë nga vezët e kuqe të Pashkës.
Lyejmë për çdo pjesëtar të familjes dhe për disa persona të afërt si edhe një vezë për shtëpinë, të cilën e mbajmë brenda në shtëpi për 1 vit, deri në Pashkën tjetër.
Të shtunën e madhe - lyejmë përsëri vezë të kuqe të Pashkës. Lyejmë sa të kemi dëshirë, d.m.th. lyejmë për konsumim të familjes sonë dhe gjithashtu lyejmë për t'u dhuruar edhe të tjerëve.
Përgatitja:
Lajini mirë vezët që doni të ngjyeni dhe i zieni në zjarr të ngadaltë që të mos hyhen.
Në një enë hidhni 6 gota ujë të vakët, uthullën në filxhan, bojën dhe e përzieni shumë mirë.
Vendosni vezët e ziera mirë (afërsisht 15 kokrra) në enën me bojën e tretur dhe i lini brenda 3-5 minuta.
Në vazhdim i hiqni dhe i lini të thahen.
Në të njëjtën bojë vendosni 15 kokrrat e tjera.
Në fund i lyeni me një pecetë me vaj që të shkëlqejnë.
Mund të bëhet sipas dëshirës në rast se doni të bëni edhe vezë të tjera.
Kuptimi i traditës së lyerjes së vezëve
Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, që në momentin që shpërthen del në dritë. Ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon flijimin dhe në rastin konkret simbolizon flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Kështu lëvozhga e vezës simbolizon varrin e Krishtit, që u hap dhe dha jetë.
Po për vezën e kuqe ekziston dhe një gojëdhënë e Kishës: Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe.
Komente
