Është e vetmja protagoniste e mbetur gjallë nga grupi që realizuan filmin “Skënderbeu”, një prodhim i vitit 1953. Adivie Alibali, këtë vit shënon 90-vjetorin e saj të lindjes, ndërkohë që i ruan të freskëta kujtimet e para 70 viteve, kur regjisori rus Sergei Yutkevic e zgjodhi për rolin e Mamicës, pasi e pa të interpretonte vallen “Vasha me shtambë” në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Regjisori ka ardhur atë natë që po jepej kjo valle. Të nesërmen ka ardhur me gjithë shkrimtarin Papava në sallën e baletit. Atje kërcyem edhe dy valle dhe më thirrën e më panë nga afër. Pasi kishte kërkuar në gjithë teatrot e Shqipërisë për të gjetur personazhe për Mamicën më zgjodhi pikërisht mua.”, - thotë Adivije Alibali.
Mamica e Skënderbeut, me të vetmin rol të saj në ekran kujton se nuk e pati të thjeshtë të merrte vizën për të shkuar në Rusi, për shkak të regjimit, por edhe sepse ishin të shumta emrat e artisteve të njohura që donin të bënin këtë rol, mes të cilave përmend edhe aktoren Besa Imami dhe Marie Logoreci, e megjithatë më në fund ia doli.
“Nuk donin të më jepnin vizën për të shkuar në Rusi. Ishin dhe shumë aktore, mes të cilave Besa dhe Marie Logoreci që donin të bënin këtë rol. Në film, sovjetikët kanë lënë shpirtin dhe kam punuar 1 vit e gjysmë me ta. Kam jetuar 1 vit e gjysmë me to. Në Jaltë kemi marrë vdekjen e Mamicës, pastaj në Kaukaz e gjithandej. Kanë qenë jashtëzakonisht të devotshëm, njerëz të thjeshtë. Horava më thërriste motër. Udhëtimet habitem pse nuk i bënim me aeroplan, se nga Moska në Jaltë duheshin dy ditë udhëtime me tren. Më kanë ruajtur si fëmijën e tyre.”, -vijon artistja.
Artistja e cila portretizoi motrën e Skënderbeut, tregon edhe një moment kur pësoi aksident gjatë xhirimeve dhe dëmtoi syrin.
“Vrasja do të bëhej jo me kalë, por në breg. Ata kishin edhe profesorë enkas për luftën. Thanë që nuk kombinon mirë kjo dhe mori drurin dhe padashje më qëlluan bam në sy. Sa shkova në plazh në Durrës u nxi komplet.
U pezullua udhëtimi. Kishim bërë gati bagazhet do të niseshim për dy ditë. Atëherë doktor Oroni, doktori i famshëm i syrit më tha: uroj që nuk të ka gjë syri. Por pas tri javësh nuk shërohesh. Edhe sot, pas 70 vitesh, syri është i nxirë. Kështu që në shtator shkova e udhëtova përsëri.”, - tregon Alibali.
Adivie Alibali thotë se kinematografia sovjetike ka qenë në të njëjtin nivel me Hollivudin dhe ajo që ndryshonte ishte vetëm ideologjia. Ndërsa, formësimi i rolit të Mamicës, ka shenjuar gjithë jetën e Alibalit, e cila nuk ishte e lehtë për të dhe familjen pasi regjimi komunist e largoi nga skena në 1975-ën dhe e internoi në një fshat të Gjirokastrës për rreth 13 vjet.
“Unë kërceva 30 vjet në tri skena teatrosh këtu dhe në gjysmën e botës, një film luajta dhe më dha lavdi të jashtëzakonshme.”, - përfundon Avidije Alibali.
Ish ministrja e kulturës dhe arsimit në Shqipëri gjatë viteve 1976-1987, Tefta Cami ishte personi që riktheu në ato vite pranë publikut shqiptar filmin “Skënderbeu”, i cili ishte ndaluar të shfaqej pas internimit që iu bë Adivie Alibalit dhe familjes së saj.
“Kur u bëra ministre mora një listë të filmave që ishin ndaluar nga sistemi dhe mes tyre ishte dhe filmi Skënderbeu, gjë që më befasoi. Bisedoj me Ramiz Alinë pse është hequr nga qarkullimi dhe më tha që ishte për shkak të Adivie Alibalit dhe Llukë Kaçit. I thashë që është bashkëpunim me filmin sovjetik dhe se pa ta nuk do të ishte realizuar, se ne kishim një kinematografi fillestare nga ana e teknikës, por edhe përvojës. I thashë që filmi duhet të shfaqet dhe më tha: bëj ç’të duash. Kështu filmi iu kthye publikut.”, - tregon Tefta Cami.
Për varianetin e ri, të filmit “Skënderbeu”, të restauruar me ngjyra dhe të dubluar, Cami ka vërejtjet e saj.
“Ata e kanë kthyer me ngjyra por kanë dubluar zërin. Nuk e di ç’thonë historianët, por e kanë kthyer në gjuhën letrare.
Filmi i parë ka qenë një bashkëpunim i shumë specialistëve dhe historianëve, ku çdo specialist fliste të folmen e krahinës së tij, domethënë është edhe një dokument. Për mendimin tim, ai dublim nuk duhej, majde stonon. Rikard Ljarja, aktor shumë i madh, që dublon Akaki Horavën, stonon. Nuk shkon fare.”, - vijon ish-ministrja.
Këto rrëfime vijnë për mikrofonin e Report TV pas shfaqjes premierë mbrëmjen e së martës në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri të filmit dokumentar “Dy “A” të mëdha- (Adivija dhe Akaki)”.
Filmi me regji nga Ylli Pepo flet për historinë e veçantë të xhirimit të filmit "Skënderbeu", duke u përqendruar te dy figurat kryesore të tij, Gjergj Kastriot Skënderbeu, të interpretuar nga artisti i famshëm gjeorgjian, Akaki Horava, dhe të Mamicës, të interpretuar nga artistja shqiptare, Adivie Alibali.
Shfaqja e këtij dokumentari vjen në 70-vjetorin e shfaqjes së filmit “Skënderbeu” në festivalin e Kanës.
Ndërkohë, djali i aktores Adivie Alibali, Agron Alibali, organizator i aktivitetit sjell në vëmendje që pikërisht në 15 tetor 1975 familja Alibali u internua nga bashkë me dhjetëra familje të tjera të Tiranës, në Labovë të Gjirokastrës, ndërkohë që plagët e kësaj drame të jashtëzakonshme familjare ende kanë mbetur të gjalla për ta.
Mua me kujtohet kur u rilejua te jepej /Skenderbeu/.Kemi qene ne 8-vjecare kur na cuan disa klasa te /Emin Durakut/t'a shikonim te kin./Agimi/.Kam mbetur e mahnitur nga kjo surprize por dhe nga filmi vete.Zonja qe interpretoi Mamicen,mendoj qe ishte aktorja me e bukur e filmit.Gjithashtu dua te shtoj qe filmi ka shume skena te frymezuara nga /Alexander Nevsky/ nje tjeter film rus historik i xhiruar ne 1938.E zbulova rastesisht kur Martin Scorsese foli per te dhe pasi e kerkova,zbulova ngjashmerine e madhe artistike mes dy filmave.Ju a rekomandoj t'i shikoni qe te dy,si /Skenderbeun/,si /A.Nevsky/ per te kuptuar magjine e artit e teknikes ruse te filmit.
Përgjigju