“E gjelbër hiri në të zezë”, si nafta ende në burim a ndoshta vdekja e portretizuar tek njeriu në grahmat e tij të fundit, drama e shkruar nga studiuesja Elsa Demo është prezantuar në Festivalin e Dramës në Graz të Austrisë në seksionin “Pipelines” (“Tubacionet”)...
Kanë lexuar pjesë prej veprës shqiptare të gazetares, dy aktorët e njohur Raphael Muff and Florian Köhler. Demo ka qenë një prej dhjetë autorëve të përzgjedhur nga e gjithë bota në këtë seksion të Festivalit, ku ndër të tjera është diskutuar për krizën globale, në një kohë që bota është ende në mes të saj. Janë 5 pjesë dramatike nga 5 shtete të botës që me subjektet e tyre përshkojnë problematikat e tubacioneve evropiane të naftës dhe gazit.
Pjesa e Demos është prezantuar pak kohë më parë në Teatrin Kombëtar, ku është lexuar nga aktorët Ndriçim Xhepa, Gladiola Harizaj, Linda Jarani dhe Genci Fuga. “E gjelbër hiri në të zezë” është zhvilluar si pjesë e “Pipelines”, një projekt artistik evropian i Konventës Evropiane të Teatrove, në kuadër të programit ENGAGE, bashkëfinancuar nga Programi i Bashkimit Europian “Europa Krijuese”.
Mbi veprën:
Një ditë dimri, ndodh shpërthimi i një burimi nafte në trekëndëshin midis shtëpive, varrezës së fshatit dhe kinemasë fantazmë. Shtëpia, varreza, kinemaja, vijnë si dëshmitare të kohëve më të vjetra se kjo ku jeton familja bashkëkohore. Kështu kohët bashkojnë krahët, e shkuara shkërben të tashmen, vendet shkërbejnë njerëzit për të thënë se nevoja për mbijetesë kontrollon dhe sfidon nevojat shpirtërore brenda njerëzve të një gjaku, që përbëjnë dhe miniaturën e një shoqërie të polarizuar...