Politikë

Raporti: Administrata, vetëm 54 mungesa nga puna gjatë kohës së fushatës

15 Qershor, 13:42| Përditesimi: 15 Qershor, 16:08

  • Share

Përdorimi i administratës shtetërore në fushatat zgjedhore është një debat 35 vjeçar në Shqipërinë pluraliste. Akuzat e opozitës nuk munguan as këtë herë.

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Nëpunësve Civilë u angazhua në monitorimin e sjelljes së nëpunësve civilë në raport me zgjedhjet e 11 majit. Raporti i hartuar nuk konstaton probleme serioze.

“Nga të dhënat e administruara gjatë këtij procesi, janë evidentuar 54 raste të nëpunësve të cilët kanë kryer mungesa të pajustifikuara, (nga të cilat 18 raste i përkasin punonjësve në institucionet e administratës shtetërore dhe 36 raste i përkasin punonjësve të njësive të qeverisjes vendore). Kjo shifër konsiderohet e arsyeshme në kuadër të funksionimit të përditshëm të administratës dhe në raport me numrin total të nëpunësve civilë të monitoruar (13 671)”,-thuhet në raportin e siguruar nga Report TV.

Megjithatë, Komisioneri ka kërkuar që edhe këto raste të verifikohen nga eprori direkt, dhe të veprohet përmes masave disiplinore.

Nga institucionet qeveritare, vihet re se mungesat pa arsye janë më të larta tek drejtoria e tatimeve, ndërsa nga bashkitë, më problematike janë Rrogozhina dhe Kavaja, një e drejtuar nga socialistët, një nga demokratët.

Gjithashtu është  evidentuar se në 547 raste, nëpunës civilë kanë marrë pjesë në përbërje të komisioneve të administrimit zgjedhor ku në 201 raste, nëpunës civilë janë emëruar anëtarë të KZAZ-ve; në 257 raste, nëpunës civilë, janë emëruar anëtarë të komisioneve të votimit, në 79 raste, nëpunës civilë, janë emëruar si anëtarë të grupeve të numërimit dhe në 10 raste, nëpunës civilë, janë emëruar si operatorë pajisjeve të identifikimit elektronik.

Në këto raste, nëpunësit pjesëmarrës në organet zgjedhore kanë marrë autorizim nga drejtuesit.

Partitë kanë denoncuar vetëm 7 raste, duke vënë në shënjestër figurat e njëra tjetrës, por deri më tani, Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil nuk ka dalë në ndonjë përfundim.

Raporti thekson se gjatë fushatës nuk vërehen presione përmes heqjes nga puna, pasi nuk ka pushime, por vetëm 3 masa disiplinore në zbatim të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

G.M./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bravo: 15/06/2025 20:22

    Ky komisioneri është i pavarur besoj?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?