Sali Berisha

E goditi ngaqë kështu ia tha koka, jo, e urdhëroi 'Ed Drama'! As njëra, as tjetra, e goditën analistët…

9 Dhjetor 2022, 20:58| Përditesimi: 9 Dhjetor 2022, 21:14

  • Share

Edhe në kafene tema më e nxehtë e javës ishte goditja me grusht e Berishës. E diskutuam gjatë po asnjeri nuk mendonte si tjetri. E bëri Ed Drama, shkroftinte Naqja dhe si argument sillte faktin që qendrimi kaq gjatë në majën e pushtetit të prish. Fillon të ndihesh vet zot e vet shkop, vet Ali e vet kadi. Këtu i vë minat një resorti, atje vendos të zhbësh portin e Durrësit se kështu ta thotë koka. Pse të mos paguash edhe njerëz që të rrahin kundërshtarët?

Ashtu të paça, e qesëndisi Lilua, pse të mos e bënte, për më tepër se modelin e kish gati, ia kishte përgatitur Saliu i Parë. Të kujtohet besoj, s’la kundërshtar pa rrahur me Milo e Imam, me Legis e Majko, madje edhe vetë Ramën e bëri për qepë e kripë. Ç’është e vërteta modelin e rrahjes së kundërshtarit Saliu e krijoi, e shpuri më tej qesëndinë Qebiri, ndaj si autor i takonte të merrte dhe honorarin, në të njëjtën monedhë.

Përralla me mbret, u hodh Beqiri, unë them se goditja është vepër e muhabeteve televizive. Kishin javë që gati çdo natë gjithologët bënin fallxhorin, jo po do ndodhë ashtu, jo po do shkojë kështu. Madje edhe këtë skenarin e goditjes e kishin përfolur. Ai i sëmuri i gjorë i dëgjoi dhe mëndje zeza i tha: ç’pret, hidhu e bëje.

Gjynah mos paça, ndërhyri Ilmiu, po mua një mëndje më thotë se gjynahqarin e vuri vetë Berisha. E dëgjoi skenarin në tv dhe tha pse të mos e realizoj, do ha një grusht surratit po qari do jetë më i madh se zarari.  E patë që gjynahqari e gjuajti me të majtën? Doemos që ta ruante. Hesap i qëruar, edhe mishi piqej edhe helli s’digjej.

Është vazhdim i një tradite kombëtare, e trashi zërin Qaniu. Në Tiranë bëhej festë e madhe, kishin ardhur gjithë liderët e Evropës. Ka qënë si punë tradite denbabaden, ku kishte festa kishte dhe sherre. Si shkoi dasma, pati ndonjë sherr? ishte pyetja e parë që i bëhej dasmorit kur kthehej në shtëpi.

E goditi ngaqë kështu ia tha koka, ndërhyra unë, me mëndje esëll vështirë të gjykosh veprimet e një të sëmuri mendor. Zotrote si gjithnjë, as mish as peshk ma pat Naqja dhe e ngërdheshi fytyrën si klloun cirku.

Diskutimi vazhdoi gjatë po, siç e thashë, qendrimet ishin majë më majë, asnjeri s’jepte e merrte me tjetrin. S’po dëgjoja më, ngaqë nisa të meditoja pse e kemi kaq vështirë të biem në një mëndje dhe shumicën e muhabeteve e kthejmë në zënka, herë të fjetura e herë prush?

Është veçori jona si popull apo e kanë dhe të tjerë? Në periferi të mendimit më vezulloi frazeologjia ‘stan me lepuj’, po e përzura sakaq. Vete e zbrazej mbi një popull të tërë se të qesëndisi njëçik Naqja, qortoi vetja veten. Kamarjerja ka ditë që s’ka ardhur, shkon nga e ëma t’i shërbejë se e ka zënë covidi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 09/12/2022 23:26

    Qe paska edhe emer Capajev tashi e lexova or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?