Kufiri mes Belgjikës dhe Francës, ka ndryshuar dhe kjo jo me një marrëveshje mes shteteve, por për shkak të gabimit të një fermeri.
Një gabim i tillë është vënë re nga një adhurues i historisë i cili teksa ecte në pyll vuri re se guri që shënonte kufirin midis dy vendeve ishte zhvendosur 2.29m.
Fermeri belg, me sa duket i mërzitur nga guri që i zinte rrugën traktorit të tij, e kishte zhvendosur atë brenda territorit francez. Një incident i tillë është pritur në fakt me buzëqeshje në të dy anët e kufirit.
"Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është një ide e mirë," tha David Lavaux, kryetar i fshatit belg Erquelinnes, për kanalin televiziv Francez TF1. Kjo lloj lëvizje shkaktoi një dhimbje koke midis pronarëve privatë të tokave, e lëre më shtetet fqinje.
Kufiri midis Francës dhe Belgjikës shtrihet 620 km dhe u krijua zyrtarisht nën Traktatin e Kortrijk, nënshkruar në 1820 pas disfatës së Napoleonit në Ëaterloo. Guri daton që nga viti 1819, kur kufiri u shënua për herë të parë.
"Unë isha i lumtur, qyteti im ishte më i madh," shtoi me shaka kryetari i bashkisë belge. "Por kryetari i bashkisë së Bousignies-sur-Roc nuk ishte dakord."
Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t'i kërkuar atij që ta kthejë gurin në vendin e tij origjinal dhe nëse kjo nuk ndodh rasti mund të përfundojë në ministrinë e jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision franko-belg për kufirin.
Ndërkohë që fermeri mund të përballet me akuza penale nëse nuk arrin të respektojë kërkesën.