Të gjitha kursimet e emigrimit, i investoi në bujqësi. Zija Keshi, fermeri nga fshati Majtarë i Dibrës ka sjellë 28 kultura të reja nga e gjithë bota në tokën e tij, të cilat janë përshtatur mjaft mirë me klimën. Kjo e shtyn që të eksperimentojë çdo vit me varietete të reja.
"Emigrimin e kam provuar në 2001-deri në 2010 kam qenë në Itali. Kam punuar bojaxhi, por në fund u ktheva dhe nuk ka gjë më të mirë që po punoj tek ferma ime.
Ferma është krijuar në vitin 2012. Kam kultivuar lajthi italiane, arra turke, mollë diamant, pepino di meloni, molla kubane, dardha japoneze, rrushi ribizla me origjinë nga Kina. Jam fokusuar tek prurjet e reja, çdo vit sjell minimumi 3 varietete deri në 5.”, tregon fermeri.
Çdo ditë e cilëson si mundësi për të mësuar më shumë, ndonëse sfidat dhe vështirësitë janë të pranishme në profesionin e tij.
“Bujqësia ka sfida. Muaji prill na dëmtoi se shkoi -7 temperatura. Ky profesion do guxim, pasion dhe durim. Duhet të gjenden varietete të reja që vijnë nga bota jashtë. Duhet durim sepse duhet me e ndjek 3 vjet një bimë dhe ka stres sepse duhet parë si shkon testimi, nëse del me sukses apo jo”, thotë dibrani.
Një thirrje shkon për shqiptarët të cilët kanë emigruar…
“Mos rrini punëtor i dikujt, më mirë rri tek shtëpia jote, pranë tokës tënde, familjes. nuk ka gjë më të mirë kur punon me dëshirë dhe në darkë ke prindërit, bashkëshorten, fëmijët dhe ndjehesh rehat.
Me të ardhurat që më kanë ardhur, ia kam parë hajrin fermës time, kam krijuar një jetë normale, nuk dua më shumë.”, thotë ndër të tjera.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00, në ekranin e Report tv.
Komente
